Ashtu si kolegia e tij Alketa Ymeri, edhe mjeku Edmond Gashi sulmoi mediat pse publikuan lajmin e thyerjes së masës së sigurisë arrest në shtëpi, por edhe për  hetimet që po kryen prokuroria ndaj tij. Në një reagim në rrjetet sociale, mjeku Gashi i pezulluar nga detyra, mohon që të ketë shkuar në lokal pavarësisht se policia e verifikoi nëpërmjet kamerave të sigurisë. Atij i duket dhe absurd fakti që duhet të shoqërohej me makinë policie për në sallën e gjyqit.

Edmond Gashi: Unë kam mbërritur para ambienteve të Gjykatës në orarin e përcaktuar nga kjo Gjykatë, duke iu përgjigjur hetimit dhe institucioneve. U sulmova dhe atakova padrejtësisht pse me mua nuk ishte edhe Policia(?) Kësaj nuk di t’i jap shpjegim. Unë respektova orarin dhe u gjenda aty në përgjigje të institucionit. Në përfundim të seancës, po njësoj jam larguar nga ambientet e Gjykatës dhe dikujt mund të mos i ketë pëlqyer pse zgjodha derën tjetër. Kam respektuar masën e caktuar nga Gjykata. Oficeri i Policisë ka trokitur në derën time dhe unë kam qenë në banesë, është lehtësisht e verifikueshme.

Në reagimin që pas disa orësh e fshiu, Gashi vijon të pretendojë që ka bërë punën e tij. Ai shprehet se pacientët tek klinika në pronësi të babait të tij kanë shkuar me dëshirën e tyre.

Edmond Gashi: Si mjek udhëhiqem në punën time nga ai betim që më shoqëron prej ditës së parë që kam hedhur mantelin e bardhë mbi supe. Si mjek kirurg kam përballuar numrin më të madh të ndërhyrjeve kirurgjikale në spitalin publik dhe 90% e tyre janë operacione të suksesshme. I ka të dhënat Onkologjiku dhe QSUT-ja, verifikojini dhe binduni për çdo dyshim. Trajtimi shëndetësor i një pacienti në klinikë private është zgjedhje dhe e drejtë e tij. Mjeku ka për detyrë t’i përgjigjet njësoj, me të njëjtin përkushtim si në shtet ashtu edhe në privat. Ligji dhe statusi i mjekut nuk e ndalon një mjek të punojë në shtet dhe në privat.

Mjeku i pezulluar nga puna prej pak ditësh është nën hetim pasi akuzohet se së bashku me koordinatorin e spitalit Onkologjik, Emiljano Lela dhe mjekë të tjerë ishin pjesë e një skeme në QSUT ku pacientët me tumor që shkonin në spitalin shtetëror për të marrë shërbimet orientoheshin që t’i merrnin në klinikë private.

Klan News