Kampionati evropian, paraqitja e Kombëtares Shqiptare dhe komentimi i Alban Xhihanit ishin pjesë e episodit të fundit për këtë sezon të podacastit “flasim” të kryeministrit Edi Rama.

I cilësuar “Zëri shqip i vitit 2024”, Xhihani ndau emocionet e EURO24.

Alban Xhihani, komentator sportive: E gjitha kjo vinte nga një atmosferë e bukur që gjithsesi më mbushi dhe më dha forcë të bërtisja deri edhe të ngjiresha. Absolutisht që për mua është një nga eksperiencat më të bukura. Unë e cilësoj si kulmin të paktën të karrierës sime, që të komentoj Kombëtaren në Kampionatin Europian përballë atyre skuadrave. Pavarësisht eliminimit patëm fat që u ndeshëm, bëmë zhurmë të madhe në të gjithë Europën, në të gjithë botën.

Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë: Në një kuptim është e vërtetë që më mirë të eliminoheshe pasi kishe luajtur me këto të treja, se sa të eliminoheshe e katërta pasi kishe luajtur me tre, dy nga të cilat nuk ishin në atë lloj përmase të interesit publik.

Kryeministri Edi Rama vlerëson maksimalisht lojën e futbollistëve kuqezi në këtë kampionat, pavarësisht rezultatit

Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë: Ne bëmë më të mirën tonë, skuadra është e re, pastaj eksperienca është jashtëzakonisht e rëndësishme në këto nivele, është njësoj sikur të luash në 3 mijë metra lartësi në një farë kuptimi dhe nga ana tjetër nëse do të na kishin thënë më përpara “që shiko sido që të shkojë do të jeni gjallë deri në minutën e fundit të ndeshjeve në grup” do të thoshim kaq duam, nuk duam gjë tjetër. Nuk hymë në ndeshjen e tretë të mbaruar, por qëndruam deri në fund gjallë.

Rama dhe Xhihani ndanë edhe përshtypjet nga momenti i golit më të shpejtë në këtë evropian, rekord të cilin vijon ta mbajë ende Shqipëria.

Alban Xhihani, komentator sportive: Dhe aty hidhet topi dhe e kam kapur në moment sapo Bajrami e shënoi, sepse për pak do të më kishte kapur edhe mua befasi moment i golit dhe nuk po u besoja syve. Dhe një nga batutat më të bukura që më thotë Myrtaj që jeton në Itali dhe më reagon: “të lutem mbas atij shpërthimi 24 sekonda, 24 sekonda” se aq e pashë për momentin se doli që ishte 23, gabova një sekondë, “Alban më zgjo të lutem jam në ëndërr” dhe realisht as unë nuk po u besoja syve, si ka mundësi. Dhe prisja që ose do të ngrihej ndonjë flamur  dhe përsëri nuk më dilte llogaria, nga rivënia anësore nuk ka pozicion jashtë loje aq e pabesueshme ishte.

Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë: Mua më mbeti pamja e italianëve, se ne ishim në atë vijën kryesore dhe aty ishte gjithë delegacioni italian. Instinktivisht mbasi u çuan të gjithë në këmbë, kthej kokën dhe aty ishte një vaki, një shok dhe ishin të gjithë të ngrirë, nuk kishte asnjë komunikim. Ata ishin në shok.

Kombëtarja shqiptare bëri zhurmë në këtë kampionat për lojën e saj në një grup skuadrash të forta, por ajo që mori notën maksimale ishte tifozëria shqiptare, e cila u cilësua si lojtari i 12-të nga kryeministri Rama

Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë: Publiku luan bashkë me ne, pra tifozët tanë luajnë bashkë me ne, janë skuadra. Dhe në këtë aspekt ai është lojtari më i mirë i joni absolutisht.

Kryeministri Rama shprehu dëshirën që në një nga ndeshjet t’i bashkohej komentit të Xhihanit.

Klan News