Faqja amerikane spikat qytezën e Ksamilit, vlerëson kostot e lira në akomodim

Është e lehtë të ndjekësh turmën dhe të nisesh drejt qyteteve ikonike të Evropës si Parisi, Barcelona dhe Londra, por ka shumë më tepër për të parë.

Kështu e nis shkrimin faqja amerikane e udhëtimeve “Travel off Path” që ndër destinacionet më të mira që duhen parë për këtë verë përfshihet edhe Shqipëria për të cilën thotë se ka qenë një destinacion në rritje për shkak të vijës bregdetare fenomenale.

Vizitën turistët e huaj mund të nisin me Tiranën, ku sfondi i bukur i maleve piktoreske të gjelbërta e bëjnë qytetin unik dhe akoma më tërheqës. Durrësi është plazhi më i afërt me Tiranën ku turistët mund të bëjnë një udhëtim ditor.

Udhëtarët që nuk janë në dijeni të perlave të vërteta të Shqipërisë rekomandohet të reazliojnë një udhëtim pak më në jug të vendit i cili ofron plazhe jashtëzakonisht të bukura, ndër të cilat spikat një parajsë si Ksamili.

I krahasuar shpesh me Ishujt Maldive, Ksamili ka ujëra të kristaltë me rërë të bardhë dhe mot të përsosur. Ksamili mund të jetë i vogël dhe nuk ka shumëllojshmëri në opsionet e akomodimit, por me siguri këtu mund të gjeni një vend të rehatshëm për t’u çlodhur.

Hotelet dhe bujtinat kushtojnë deri në 64 dollarë në natë, ndërsa hotelet buzë detit deri në 200 dollarë. Këto çmime janë të pakonsiderueshme për atë që udhëtarët e huaj do të marrin në këmbim, pasi destinacione shumë të ngjashme në rajon mund të kushtojnë shumë më tepër.

Ushqimi, vera dhe atraksionet historike pranë qytezës janë gjithashtu super të lira.

Në fund të shkrimit për lexuesit ka edhe një këshillë. Shijojeni Ksamilin para se të njihet shumë nga turistët, pasi çmimet me siguri do të rriten kur kjo të ndodhë.

Klan News