Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Në tregjet ndërkombëtare valutore Dollari amerikan arriti të fitonte terren ndaj monedhës së përbashkët europiane pas niveleve të ulëta rekord që shënoi gjatë ditës së djeshme.

Publikimi sot në Gjermani i indeksit të rëndësishëm ekonomik, që shënonte rënien më të madhe të dy viteve të fundit dhe paralajmërimet e presidentit të Bankës Qendrore Europiane se lëvizjet e fundit në raportet euro-dollar, kanë qenë brutale dhe të pa dëshirueshme bënë që euro të tërhiqet nga nivelet e larta rekord.

Në mesditë monedha e përbashkët europiane u shkëmbye në nivelet 1 euro baras me 1.29 dollarë. Sipas informacioneve të Bankës Italo-Shqiptare në tregun tonë të brendshëm valutor nuk shënohen lëvizje të ndjeshme në raportet e shkëmbimit të lekut kundrejt dy monedhave kryesore./tvklan.al