Lajme Arkiva 2003

Për këta tregtarë ambulant nuk ekziston nocioni i ditës së pushimit, qoftë edhe për festa. Për të siguruar jetesën ata dalin për të shitur mallin e tyre, i cili duhet shitur sa më shpejt se përndryshe edhe mund të prishet.

Këtë mënyrë të jetuarit me anë të vetëpunësimit, ata e kryejnë me kënaqësi, por prej disa kohësh ata nuk gjejnë një vend ku të shesin mallrat e tyre, të thonë se nuk lejohen nga policia. Shumë prej tyre vijnë nga fshatrat përreth Tiranës.

Shitësja: Dalim të shesim këtu, por këtu s’na lë policia të shesim. Të na bëjë vend të caktuar që të shesim ne. Të na caktojë treg këtu, se këtu e kemi ne vendin që shesim. Të na bëjë një treg se ka vend sa të duash, pse mos ta bëjnë tregun? Kur i kanë bërë të gjithë tregjet ne pse mos të na i bëjnë? Pse na ndjek policia këmba-këmbës vetëm ne te tregu këtu?

Shitësi: Tani kjo punë u bë kështu, o te tregu privat o rashë e vdiqa. Populli është në hall, është pa punë.

Ky treg ka funksionuar si i tillë gjatë dhjetë viteve të fundit dhe blerësit janë banorët e pallateve aty afër, ndërsa tregtarët së bashku me mallin e tyre ku u gjen e sotmja nuk e gjen e nesërmja, pasi u duhet të ndërrojnë vendin e shitjes çdo ditë./tvklan.al