Fitorja e Europa League do i garantonte direkt prezencën në Champions League, por Atalanta nuk kërkon t’i lërë aspak vend befasisë. Bergamaskët arritën që të ruajnë ritmin edhe në kampionat, teksa pas finales në kompeticionet europiane “theu” 2-1 një rival direkt si Roma.

Fitore e vulosur nga yjet e skuadrës së Gasperinit. Bluzinjtë janë të varur gjithnjë e më shumë nga treshja, Sharl de Keteler, Xhianluka Skamaka dhe Kupmejners. Protagonist në një sezon fenomenal, yjet e Atalantës kanë kontribuar në të paktën 22 gola mes rrjetave dhe asistimeve këtë sezon.

Mesfushori belg ka dhënë 13 gola e 9 asiste, teksa ishte autor i dygolëshit ndaj verdhekuqve. Skamaka asistoi tek goli i parë, për t’u ngjitur në kuotën e 17 rrjetave dhe 5 asisteve, ndërsa Kupmejners dhuroi pasimin deçiziv tek i dyti. Holandezi ka 15 gola dhe 7 asiste.

Vetëm Manchester City dhe Bayer Leverkusen kanë bërë më mirë në këtë aspekt, pasi 4 lojtarë kanë këtë kuotë në të gjithë kompeticionet këtë sezon. Roma rihapi sfidën me penalltinë e Pellegrinit. Bolonja dhe Juventus tashmë kanë siguruar edhe matematikisht kualifikimin në Champions League. Ndërkaq, Atalanta ka një avantazh prej 3 pikësh kundrejt Romës, duke pasur në dispozicion edhe dy ndeshje deri në fund.

Klan News