Donald Trump mbajti tubimin e tij të parë që pas sulmit në Pensilvani të dielën e kaluar. Ai u tall me demokratët, përfshirë edhe nën/presidenten Kamala Harris dhe në një moment e quajti ish-kryetaren e Dhomës Demokratike, Nancy Pelosi, “të çmendur”, ndërsa e cilësoi presidentin amerikan, Joe Biden një njeri të dobët dhe i bëri thirrje të tërhiqet nga gara.

“Kamala. E keni parë ndonjëherë të qeshë? Ajo është e çmendur. E dini, mund të dalloni shumë nga një e qeshur. Por ajo nuk është aq e çmendur sa Nancy Pelosi, kjo e fundit është 100%.”

Mes të tjerash, Trump trumbetoi sërish idenë se nëse rizgjidhet sërish, vendi do të ndryshojë në 360 gradë, ndërsa ngriti akuza për Partinë Demokratike.

“Partia Demokratike nuk është parti e demokracisë. Ata janë me të vërtetë armiqtë e demokracisë, partia e korruptuar si guvernatori i Miçiganit Gretchen, Whitmer. Nën udhëheqjen tonë, Partia Republikane është tani partia e popullit. Ne jemi partia e amerikanëve që punojnë shumë, pavarëisht çdo race, feje, ngjyre dhe besimi.”

Trump u shfaq në Grand Rapids së bashku me senatorin James David Vance nga Ohio. Përzgjedhja e Vance nga Trump u pa si një përpjekje për të rritur mbështetje mes votuesve në shtete si Miçigani, Pensilvania, Uiskonsin dhe Ohajo, të cilët e ndihmuan Trumpin të siguronte fitoren në vitin 2016.

Grand Rapids është qyteti më i madh në distriktin e Kentit, një nga tre qarqet e Miçiganit ku Trump fitoi në vitin 2016, por edhe ku Biden fitoi në vitin 2020.

Ndërkaq siguria ishte e lartë gjatë tubimit në Michigan. Oficerët e Shërbimit Sekret të SHBA-së u pozicionuan në ballkonet e sipërme në Arenën Van Andel, ndërsa edhe në rrugë kishte prani të shtuar të policisë.

Sondazhet tregojnë një garë të ngushtë midis Trump dhe Biden në nivel kombëtar, por Biden është pas Trump në disa shtete. Shumë demokratë kanë frikë se Biden mund të mos ketë një rrugë realiste drejt fitores dhe se partisë i duhet një kandidat i ri për të përballur Trump.

Klan News