Numri i vdekjeve nga sëmundjet e zemrës në vendin tonë shënon rritje të ndjeshme çdo vit, ndërsa sot ndodh e kundërta. Kjo vihet në dukje nga drejtori i Qendrës Kombëtare të Cilësisë, Sigurisë dhe Akreditimit të Institucioneve Shëndetësore Isuf Kalo.  

Isuf Kalo: “Vdekjet e standardizuara nga sëmundjet koronare në vend që të ulen siç është tendenca në të gjithë botën po rriten. Në 10 vjetët e fundit ne kemi një rritje 40% vdekshmërisë për shkaqe kardiake.”

Gjatë tryezës me përfaqësues të ndryshëm të shëndetësisë, Kalo nxori në pah një tjetër problem të shëndetësisë siç është fshehja e gabimeve të mjekëve në spitale.

Isuf Kalo: “Shumica e spitaleve nuk na dhanë asnjë informacion, pra duket që spitalet nuk kanë një sistem monitorizimi permanent të parametrave të sigurisë dhe të aksidenteve. Pra gabimet ose s’regjistrohen ose fshihen.”

Duke pranuar se në spitale ka rrezitje të pashmangshme dhe mundësi gabimesh njerëzore, Kalo kërkoi regjistrimin dhe evidentimin e gabimeve në mënyrë që të krijohen mekanizma parandalues për të minimizuar mundësinë e gabimeve të mjekëve./tvklan.al

Gazetare: Brunilda Cami