Pas hedhjes për konsultim publik në muajin Prill, projektligji “Për Shëndetin Seksual dhe Riprodhues”, u zhvilluan disa dëgjesa publike në Ministrinë e Shëndetësisë nga Komunitetet Fetare dhe Shoqëria Civile. Sipas zv/Ministres së Shëndetësisë, Mira Rakacolli tashmë grupi i punës po shqyrton sugjerimet dhe argumentat e ndryshme të paraqitura.

Mira Rakacolli: Jemi në fazën që konsultimet publike zyrtarisht kanë mbaruar. Jemi përsëri të hapur për sugjerime e për të ndarë mendime, por në këto momente grupi i punës po sheh me hollësi ato sugjerime e argument që janë dhënë për pika të ndryshme të ligjit. Së shpejti do kemi një draft përfundimtar për projektligjin mbi bazën e konsultimeve të gjera që janë bërë në lidhje me pika të nxehta të këtij ligji.

Rakacolli tregon edhe hapat e mëtejshëm që do të ndiqen për këtë projektligj shumë të debatueshëm.

Mira Rakacolli: Aprovimi në qeveri, diskutohet në komisione parlamentare, reflektohet dhe aty nëse ka nevojë për ndryshime. Dhe pastaj faza përfundimtare, është miratimi në Parlament.

Por përse u mor vendimi për të reflektuar këto ndryshime në projektligjin “Për Shëndetin Seksual dhe Riprodhues”? Rakacolli rendit disa arsye.

Mira Rakacolli: Ndryshimet e fundit janë bërë në vitin 2002, jemi në vitin 2024. Kanë shkuar mbi dy dekada të rëndësishme edhe për çështje të mentalitetit. Ka qenë e domosdoshme që ato ndryshime të reflektoheshin në ligj.

Disa javë më parë, Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë kërkoi të ndërpritet shqyrtimi i projektligjit “Për Shëndetin Seksual dhe Riprodhues”, pasi sipas tyre cenon dinjitetin e grave e vajzave dhe atë të bërthamës së familjes shqiptare.

Klan News