Interesi i të huajve që zgjedhin Shqipërinë si destinacionin e tyre për të vizituar ka qenë i lartë nga Janari deri në Maj, me mbi 3.3 milionë turistë.

Kjo rritje me 38% krahasuar me periudhën e një viti më parë, sipas drejtores së Turizmit, Herida Duro pranë Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, tregon që vendi ynë ka shumë për të ofruar përgjatë gjithë vitit.

Herida Duro: Shumë prej tyre ju drejtohen sajteve turistike apo historike, alpeve apo zonave malore dhe me interesa të veçantë në sporte outdoor kryesisht dhe kjo është ajo që oferta e Shqipërisë ka dashur të flasë për atë se çfarë përfaqëson turizmi jonë, diversiteti që ne kemi, ofertat dhe atraksionet shumë të diversifikuara dhe shumë të ndryshme. Të larmishme pra nga veriu në jug në shumë pak territor mund të prekësh interesa dhe të përjetosh ndjesi të ndryshme.

Një interes të madh ka patur nga turistët edhe për zonat e mbrojtura, ku një pjesë e tyre janë unike në atë që ofrojnë.

Herida Duro: Mbi 20% e zonave të mbrojtura të Shqipërisë është e tillë dhe në fakt ka një interes të shtuar. Duke qenë se janë zona shumë më tepër natyrore ku ekosistemi bashkëjeton në një natyrshmëri shumë të veçantë dhe janë interesa që turistët i vlerësojnë ndryshe nga shumë vende të tjera të cilat janë shumë më të komercializuara.

Sektori i agroturizmit dhe kulinaria, përbën një pjesë të rëndësishme në preferencat e turistëve nga vende të ndryshme të botës.

Herida Duro: Që nga kulinaria e veçantë, format e agroturizmit të cilat kanë treguar që janë një nga tipologjitë më atraktive. Synimi është që turisti të ketë përvoja më në territor, më të diversifikuara, shumë më të ndryshme. Eksperienca pak më të veçanta, por mbi të gjitha më së fundmi këto biznese familjare janë kthyer në atraksione të vërteta, qoftë edhe për produkte tipike të zonës që ata përdorin në menunë e tyre.

Viti 2023 u mbyll me një rekord turistësh me mbi 10.1 milionë, ndërsa për këtë vit çdo strukturë shtetërore dhe private është e përgatitur për të pritur një fluks edhe më të lartë me mbi 14 milionë vizitorë.

Klan News