Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha dhe kreu i Policisë së Shtetit, Ilir Proda shkuan në spitalin e Traumës për të parë nga afër efektivët e policisë të lënduar në protestën e opozitës. Ministri i Brendshëm tha se gjendja e 10 efektivëve të policisë të lënduar është jashtë rrezikut për jetën.

“Kanë dëmtime të lehta, disa kanë lënë spitalin. 3 janë ende nën vëzhgimin e mjekëve. Asnjë nga tubuesit dhe qytetarët nuk është lënduar dhe dëmtuar përveç punonjësve të policisë.”

Ministri i Brendshëm thotë se përgjigja e policisë ka qenë konform ligjit.

“U sulmuan institucione kushtetuese të shtetit shqiptar, sikurse ju e patë. Janë sulmuar pothuajse të gjitha institucionet e shtetit shqiptar, përfshirë këtu edhe PS. Ky sulm, ka bërë që Policia të përgjigjet dhe të zmbrapsë trumën duke përdor edhe gazin lotsjellës. Përgjigja e policisë është konform ligjit”.

Në një tjetër reagim që bëri më pas, Ministri i Brendshëm tha se efektivë të policisë ata kishin përballë një turmë të çoroditur nga një motivim politik absurd, ku një pjesë individësh kapërcyen vijën e ligjit me akte të dënueshme. Sipas tij, çdo akt është i dokumentuar dhe çdo autor aktesh antiligjore është tanimë subjekt i organeve ligjzbatuese.

Tv Klan