Një turiste kroate ka humbur jetën pasi ka rrëshqitur nga një lartësi në vendin e quajtur “Maja e Jezercës”. Mësohet se ajo bashkë me disa persona të tjerë ishte ngjitur nga territori i Malit të Zi, por prej terrenit të thepisur ata kanë kërkuar ndihmën e Policisë.

Ata u lokalizuan pas disa orësh kërkime. Ekipi i kërkim-shpëtimit ka bërë të mundur nxjerrjen e trupit të pajetë dhe transportimin me helikopter drejt morgut. Ndërsa operacioni i shpëtimit vijon për të bërë të mundur nxjerrjen e turistëve të tjerë, nga vendi ku janë bllokuar.

“Salla Operative e Komisariatit të Policisë Tropojë ka marrë njoftim nga një grup aplinistësh, që mendohet të jenë shtetas kroatë, të cilët janë ngjitur nga territori i Malit të Zi, për të mbërritur në vendin e quajtur “Maja e Jezerces”, se njëra nga anëtaret e grupit kishte rënë nga një terren i thepisur malor dhe me borë.  Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë, së bashku me ekipin mjekësor të spitalit të Tropojës dhe ekipin e kërkim-shpëtimit, janë nisur bashkë me helikopterin e Emergjencave Civile, drejt adresës së dhënë.  

Pas disa orësh kërkime nga shërbimet e Policisë, turistët u lokalizuan në vendin e quajtur “Maja e Jezerces”. Turistja kroate, shtetasja Z. L., 43 vjeçe, për shkak të terrenit të thepisur malor, ka rrëshkitur nga një lartësi dhe për pasojë kishte humbur jetën”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë./tvklan.al