Sheshi “Skëndërbej” në qytetin e Tuzit në Mal të Zi do të ketë shumë shpejt një pamje të re. Kjo falë një projekti rehabilitimi që financohet nga Bashkia e Tiranës.

Teksa inspektoi punimet në terren, kryebashkiaku i Tiranës theksoi se ecuria e këtij projekti përbën një shtysë që Bashkia e Tiranës të ndihmojë akoma më shumë trevat shqipfolëse.

“E çmoj faktin që jeni kujdesur që buxheti i Bashkisë së Tiranës, donacioni për sheshin “Skënderbej”, të aplikohet me cilësi. Më vjen mirë që keni qenë vërtet dinjitozë në menaxhimin e atij fondi, çka na bën të jemi të gatshëm të ndihmojmë më shumë”, u shpreh Veliaj.

“Ju falenderoj pa masë për investimin, që keni rregulluar një shesh i cili pa dyshim ka zbukuruar komunën e Tuzit, u shërben të gjithë qytetarëve, posaçërisht të vegjëlve. Ai shesh do të zbukurohet edhe një bust të Skënderbeut. Shpresojmë që në 28 nëntor, ta përfundojmë”, tha Liridon Gjelaj, kryetar i Komunës së Tuzit.

Në takimin me kryetarin e Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, Veliaj u zotua se Bashkia e Tiranës do të japë kontributin e saj për financimin e Muzeut të Detit.

Gjatë vizitës, në cilësinë e Presidentit të Rrjetit të Qyteteve të Ballkanit, kryebashkiaku i Tiranës u prit në takim dhe nga Presidenti, Kryeministri dhe Zv/Kryeministri malazez.

Tv Klan