Drejtuesi Politik i PS për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj vijoi turin e mirënjohjes me socialistët e zonës së Dajtit, Lagjes 12, Shëngjergjit, Krrabës, Zall Herrit, Zall Bastarit dhe Bërzhitës. Teksa vlerësoi sakrificat e bëra ndër vite të anëtarëve të kësaj force, Veliaj tha se Partia Socialiste është e vetmja forcë që e ka afruar Shqipërinë me Perëndimin.

“Edhe ata që djegin goma shkojnë në një shtëpi e cila u vlen tre herë më shumë. I çojnë fëmijët në një shkollë si “Emin Duraku”, si “Sami Frashëri”, si “Kosova”. I çojnë fëmijët e tyre në shkolla me standarde europiane sot, ecin në rrugë të standardit europian. Diferenca është që kur shërben PS-ja, edhe ata që djegin goma, ata që vranë socialistët në 21 janar, ata që rrëmbyen socialistët me SHIK-un e Saliut, jetojnë në një qytet që prona u vlen më shumë, shtëpia iu vlen më shumë, rroga u vlen më shumë, rruga u është bërë më e urbanizuar. Ndaj, kur qeverisin socialistët, edhe kundërshtarët tanë më të paepur jetojnë në një hapësirë më të mirë”, tha ai.

Ai shtoi edhe vetë Berishës shtëpia i ka marrë vlerë prej punës së bërë për përmirësimin e infrastrukturës.

“Merrni rrugën ku jeton Saliu, ku flet përditë dhe shan PS. Rruga “Mustafa Matohiti” ka pasur një rritje të vlerës së pronës 375%. Pra, është rritur thuajse katër herë vlera e pronës së shtëpisë dhe rrugës së Saliut, që kur e ka marrë drejtimin PS. Edhe armiku ynë më i betuar është sot katër herë më i pasur, se flet nga një ballkon që vlen katër herë më shumë, prej punës që ka bërë PS për atë rrugë, për atë infrastrukturë”.

Veliaj theksoi se sot Tirana dhe Shqipëria po përjetojnë ditët më të mira, falë punës së bërë ndër vite nga socialistët që nuk u dorëzuan.

Klan News