“Mbështetje financiare për emergjencat dhe mbetjet”

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka kërkuar edhe në Komisionin e Ekonomisë që në buxhetin e vitit të ardhshëm të parashikohen subvencione për transportin urban. Ai tha se çdo institucion duhet të jap ndihmesën e tij në këtë drejtim për të shmangur rritjen e çmimit të biletës për udhëtarët.

“E kuptoj se është e vështirë heqja e TVSH-së, por ka mënyra të tjera. I kemi kërkuar qeverisë që, ose në Akt Normativ, ose në buxhet, të vendoset një subvencion për transportin publik, sidomos për qytetin e Tiranës, që transporton një pjesë të madhe të komuniteteve, që s’janë as rezidentë. Edhe Ministria e Arsimit duhet të japë subvencionin e vet për studentët, është pjesë e Paktit për Universitetit. E njëjta gjë vlen edhe për Personat me Aftësi të Kufizuara”.

Veliaj ngriti shqetësimin e borxheve të prapambetura, sidomos të ish-komunave që iu janë faturuar bashkive pas ndarjes së re territoriale.

“Duhet një zgjidhje sidomos për bashkitë e vogla. Bashkia e Tiranës i ka likuiduar të sajat”.

Në cilësinë e kryetarit të Shoqatës për Autonominë Vendore, Veliaj kërkoi që të ketë një riorganizim më të mirë jo vetëm të fondit të emergjencave civile, por edhe të mjeteve të tyre.

“Qeveria ka vendosur që 4%-shin e emergjencave civile t’ia kalojë pushtetit vendor. Ajo që kërkojmë është që të bëhet një vlerësim risku dhe të ndahet sipas frekuencës së fatkeqësive natyrore, jo në mënyrë proporcionale”.

Sa i takon mbetjeve urbane, Veliaj tha se në Tiranë situata është përmirësuar, por në qytetet bregdetare duhet një zgjidhje për sezonin veror ku për shkak të turizmit konsumi rritet.

Tv Klan