Lajme Arkiva 2003

Vendimi i KQZ-së për përsëritjen e zgjedhjeve në dy qendra votimi në Himarë nuk ka qenë e papritur për partinë Bashkimi i Të Drejtave të Njeriut. Megjithatë sekretari i përgjithshëm i PBDNJ-së Ligoraq Karamelo në një intervistë për Tv Klan ka shprehur bindjen për fitoren e kandidatit të tyre në këto dy qendra.

Ligoraq Karamelo: Ne nuk na tremb sepse qoftë Partia Bashkimi i të Drejtave të Njeriut qoftë kandidati ynë tashmë të dy janë fitimtarë dhe kanë qenë gjithmonë fitimtarë dhe përsëri do të jenë fitimtarë. Por ajo që ne insistojmë dhe kërkojmë para se të bëhet votimi në Himarë, është fakti që ende nuk janë vënë përpara drejtësisë autorët e ngjarjeve tepër të hidhura që dhunuan procesin elektoral në Himarë. Ne kërkojmë që ditën e zgjedhjeve në Himarë të kemi një monitorim  të vazhdueshëm, qoftë nga organizma ndërkombëtarë, qoftë nga trupi diplomatik qoftë edhe nga organizmat për kulturën demokratike që janë në Shqipëri.

Për sa i përket aleancës me socialistët karamelo ka kërkuar rishikim të marrëdhënieve mes të dyja palëve. Ndërsa për qëndrimin që do të mbajë kjo parti gjatë votëbesimit të dy ministrave të rinj të kabinetit Nano, sipas Karamelos Partia Bashkimi i të Drejtave të Njeriut ende nuk ka marrë një vendim të prerë./tvklan.al