Edhe për Gjykatën e Apelit në Tiranë, Erdgys Arrazi, bashkëshorti i Alma Arrazit që vrau veten bashkë me 3 fëmijët e saj duke u hedhur në Lumin Buna, duhet të qëndrojë në qeli.

Ai kishte kërkuar lirinë duke pretenduar që nuk ishte shkaktar i ngjarjes së rëndë që u regjistrua në fillim të muajit Maj në Shkodër, por ndryshe vlerësuan gjyqtarët e Apelit që miratuan vendimin e Shkallës së Parë.

Arrazi akuzohet nga Prokuroria se për shkak të tradhtisë dhe ushtrimit të dhunës psikologjike ndaj bashkëshortes Alma Arrazi, e shtyu atë drejt vetëvrasjes.

Prokuroria i bazon këto dyshime në komunikimet telefonike, por edhe dëshmitë e të afërmve të Almës që treguan për një marrëdhënie të agravuar mes të dyve prej disa kohësh.

Kjo e fundit në datën 3 Maj, pas një takimi që zhvilloi me motrën e burrit në një kafe në Shkodër, me tre fëmijët e saj shkon drejt urës së Bunës nga ku dyshohet se është vetëhedhur.

Fillimisht u gjet trupi i pajetë i një prej fëmijëve dhe më pas kërkimet nxorën edhe nënën me dy të miturit e tjerë.

Tv Klan