18 fishekë kallashnikovi të zbrazur në prani të dy fëmijëve të tij, 6 dhe 11 vjeç. Është ky rasti i Aleks Markut nga Lezha i cili prej disa orësh jo vetëm ka alarmuar fqinjët me të shtënat me armë zjarri në banesën që kishte marrë me qira, por nuk ka marrë parasysh as dy të miturit.


Rreth orëve të para të mëngjesit të sotëm, forcat “RENEA” kanë shkuar pranë zonës së quajtur “Shkëmbi i Kavajës” në Durrës. Edhe pse i bënë thirrje autorit të vetëdorëzohej, 40 vjeçari vijoi të qëllonte nga dritarja e apartamentit. Fatmirësisht, ai u prangos pas disa orësh dhe fëmijët janë në gjendje të mirë shëndetësore.

Ajo që bie në sy në pamjet e bëra publike nga blutë, është fakti se ai del nga apartamenti krejt i qetë, duke tymosur një cigare…

Motivi? Siç raportohet nga gazetari i Klan News Besart Bajraktaraj, Marku ka qenë nën efektin e lëndëve narkotike. Mësohet se ai ka konflikte me bashkëshorten, e cila ka marrë urdhër mbrojtjeje prej tij.

Njoftimi i plotë i policisë:

Qëlloi me armë zjarri, nga banesa ku mbante peng 2 fëmijët e tij të mitur, pas disa orësh negociata, RENEA hyri në banesë dhe liroi fëmijët. Gjithashtu, RENEA vuri në pranga autorin dhe i sekuestroi armën e zjarrit kallashnikov. Rreth orës 02:20, Policia e Durrësit është njoftuar se dëgjoheshin të shtëna me armë zjarri, në ambientet e një pallati, në një apartament të lëshuar me qira, pranë zonës së quajtur “Shkëmbi i Kavajës”. Menjëherë, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe nga veprimet e para rezultoi se banesa nga ku qëllohej me armë zjarri, ishte marrë me qira javore, nga shtetasi A. M., 40 vjeç, banues në Lezhë dhe se dyshohej se brenda saj ky shtetas mbante peng 2 fëmijët e tij të mitur, 6 dhe 11 vjeç. Policia e Durrësit kërkoi ndihmën e Repartit Special “RENEA”, pasi duhej ndërhyrje e specializuar për të mos rrezikuar jetën e fëmijëve në banesë dhe të punonjësve të Policisë.

Në vendngjarje shkoi Reparti Special “RENEA”, i cili i bëri thirrje 40-vjeçarit që të dorëzohej, por ai vijoi të qëllonte nga dritarja e apartamentit. Pas disa orësh negociata, nga Njësia e Negocimit e Repartit “RENEA”, dhe me ndërhyrjen e specializuar të njësive të RENEA-s, në bashkëveprim me strukturat e DVP Durrës, nën masa të larta sigurie, u bë i mundur neutralizimi dhe kapja e shtetasit A. M., të cilit në banesë iu gjet një armë zjarri kallashnikov, një krehër me fishekë, si dhe 18 gëzhoja në brendësi të banesës. Gjithashtu, Policia nxorri të 2 fëmijët, të cilët janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe po iu jepet asistencë me psikologë. 40-vjeçari është shoqëruar në Polici, për veprime të mëtejshme procedurale. Për motivet që shtynë 40-vjeçarin në këtë ngjarje, do të japim informacion në vijim.

Për ngjarjen ka reaguar edhe ministri i Brendshëm Taulant Balla. Duke falenderuar “RENEA-n” dhe forcat policore të Durrësit, ai thotë: Nuk mund të ketë asnjë justifikim ndaj dhunës, as në shtëpi, as në vendin e punës, as në jetën publike, as online.

/tvklan.al