Trafiku në kryeqytet është i rënduar, por ato çka sjellin edhe më shumë kaos janë furgonat taksi 8+1 që vijnë nga rrethe të ndryshme të vendit.

Drejtuesit e tyre ndalojnë ku të munden për të zbritur e për të marrë pasagjerë. Ndërkohë që sipas një urdhri këto lloj makinash duhet të kthehen në vendin e origjinës pa pasagjerë.

Bashkia e Tiranës nga ana e saj ka vendosur disa stacione në dispozicion të tyre. Por furgonat asnjëherë nuk ndalojnë në vendet e caktuara për to.

Në kryqëzimin e unazës me rrugën pranë Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës ndalojnë pambarimisht gjatë ditës furgona taksi që vijnë nga Elbasani. Ata zbresin pasagjerët në këtë kryqëzim, duke ndaluar paralel me makinat e tjera e për pasojë bllokojnë qarkullimin. Pse jo edhe duke u bërë shkak për aksidente.

Kjo situatë zgjat prej shumë kohësh tashmë dhe askush nuk është i interesuar deri më sot që t’i japë fund kësaj gjendje. Në një intervistë për televizionin Klan pak muaj më parë, ish-shefi i policisë rrugore Krenar Ahmetaj, premtoi se do të merrte në dorë situatën duke bllokuar patentat e shoferëve të këtyre furgonave apo duke caktuar gjoba për çdo shkelës.

Krenar Ahmeti: “Këto mjete të transportit publik i sjellin ngarkesa trafikut, veprojnë në kundërshtim me ligjin dhe ne gjithmonë pa ndërprerje kemi aplikuar ndëshkimet administrative që parashikohen në bazë të kodit rrugor, por ne do të kalojmë në një fazë të dytë, etapë të dytë për të aplikuar dhe nene të caktuara që e parashikon ligji deri edhe në bllokimin e mjeteve”.

Pas tre muajsh nga ky premtim asgjë nuk ka ndryshuar. Një situatë e  ngjashme zhvillohet çdo ditë edhe pranë stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”. Ambientet e jashtme të të cilit janë kthyer në një stacion të jashtëligjshëm për furgonët që mbërrijnë nga juglindja e vendit./tvklan.alGazetare: Daniela Kostandini