Një politikan italian u vra një ditë më parë në Bergamo duke u dhunuar barbarisht. 68-vjeçari Franco Colleoni kishte plagë të shumta në kokë dhe në fytyrë.

Goditjet dhe dëmtimet që i ishin shkaktuar, tregonin se 68-vjeçari ishte vrarë me mllef. Disa orë hetime, mjaftuan që karabinierët të arrestonin djalin e politikanit, 34-vjeçarin Francesco.

Mes të dyve ka patur një konflikt fizik. I biri ushtroi dhunë ndaj babait dhe i përplasi kokën disa herë mbi një gur. Krimi ndodhi në oborrin e fermës së tyre, ku familja Colleoni ka edhe restorantin.

Franco Colleoni dhe djali kanë patur mosmarrëveshje prej disa kohësh. Problemet ishin kryesisht familjare dhe profesionale, pasi lidheshin me fermën dhe restorantin që drejtonin.

Këto mosmarrëveshje arritën kulmin mëngjesin e djeshëm, kur politikani 68-vjeçar humbi jetën. Ishte vetë djali që dha alarmin në polici 2 orë më vonë pas ngjarjes. Fillimisht nuk tregoi se çfarë kishte ndodhur. Por pas marrjes në pyetje dhe pas hetimeve, 34-vjeçari u arrestua. /tvklan.al