Kryeministri i ri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski ka përfunduar listën e 20 ministrave dhe pritet ta paraqesë përpara Parlamentit të martën. Pas mbledhjes së Kryesisë së VMRO-DPMNE, Mickoski ka shpallur emrat e ministrave, duke perfshirë vetëm tre gra në qeveri.

“Qeveria e re do të përbëhet nga partitë, të cilat janë pjesë e koalicionit Maqedonia Jote, koalicionit VLEN dhe partisë politike ZNAM, qeveri e cila ka mbështetje të gjerë nga elektorati, mbi 600.000 vota të fituara në zgjedhjet të cilat perfunduan më 8 Maj.”

Portofolet kryesore si ministria e Brendshme, e Mbrojtjes, Financave dhe ajo e Jashtme i mban partia Mickoskit. Në qeveri do të ketë 5 zv.kryeministra, ku dy do t’i takojnë shqiptarëve. Koalicioni i partive shqiptare Vlen do të marrë 6 portofole.

Ndërkohë, Radio Europia e Lirë, bën të ditur se në qeverinë Mickoski është një person që ka lidhje me Rusinë. Bëhet fjalë për Ivan Stojlkoviç, i cili do të jetë zëvendëskryeministër dhe ministër i marrëdhënieve ndërmjet komuniteteve.

Tv Klan