Milan ka marrë një tjetër përgjigje pozitive për tu afruar me Armando Brojën. Dështimi për të firmosur me Niclas Fullkrug mund ta shtyrë klubin kuqezi për të tentuar të nënshkruajë me sulmuesin e kombëtares shqiptare.

Gara për Brojën është e fortë, pasi në mediat italiane aludohet edhe për një interes të Juventusit.

Fullkrug ishte në fokusin e Milanit si përforcim për sezonin e ri, pasi shihej si opsion tepër i mirë për të formuar repartin e sulmit me Alvaro Moratën.

Firma e 31-vjeçarit me West Ham për shifrën e 34.5 milionë eurove krijon akoma dhe më shumë liri edhe për Milanin, pasi Broja ishte lakuar si kandidat për të kaluar në radhët e londinezëve.

Tashmë me marrëveshjen 4-vjeçare të nënshkruar me sulmuesin gjerman, West Ham duket se ka mbyllur edhe llogaritë për forcimin e repartit ofensiv.

Skenar që i shkon për shtat Armando Brojës, pasi në të tilla kushte do të ishte më pranë kalimit në Serie A. Sipas asaj që raportohet në mediat italiane, për 22-vjeçarin, kuqezinjtë kanë ofruar mundësinë e huazimit për lojtarin me formulën e blerjes përfundimtare në fund të sezonit. Për kartonin e Brojës, Chelsea synon të paktën 35 milionë euro.

Klan News