Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Ra miti që shqiptarët nuk dinë të bëjnë votime. Procesi i fundit në Kosovë u cilësua si një ndër më të mirët e të qetët në Ballkan. Nuk janë shqiptarët që s’dinë të bëjnë zgjedhje, por interesa të tjera larg nesh, ose forca të caktuara politike janë ato që deri më sot kanë ndikuar në mosfunksionimin e institucioneve dhe respektimin e së drejtës. Ashtu siç dimë që ndodhin zgjedhjet, kontestohen, vriten e shahen dhe nuk del ai që fiton e ndërton të ardhmen e vendit. Shembulli i Kosovës tregoi se shqiptarët dinë të bëjnë votime.

Kosova ishte e qetë, megjithëse vjen nga lufta, e rregullt edhe pas çrregullit të luftës. Votoi Kosova dhe fitoi ajo. Gjysma tjetër e shqiptarëve, që jemi ne, e ka një precedent të rregullit dhe të votës për zgjedhjet e ardhshme. Kosova në mes të vitit 2005 pret pavarësinë, e mandej Shqipëria zgjedhje të reja parlamentare. Këtë herë kosovarët morën më shumë pjesë në zgjedhje. Kosovarët duan statusin.

Gazetarja: Janë 1 milion e 304 mijë votues nga Kosova, që presin të arrijnë pas këtyre zgjedhjeve pavarësinë e tyre. 60% e popullsisë së Kosovës përbëhet nga të rinjtë nga mosha 18-30 vjeçare, 70% e kësaj popullsie është e papunë. Ato çka këto duan të arrijnë nëpërmjet statusit të Kosovës është të kenë më shumë investime, papunësia të ulet, por njëkohësisht të ulet dhe korrupsioni, i cili vitet e fundit është rritur së tepërmi në nivel lokal.

Kosovari 1: “Pasi shumë sene lidhen pas statusit, besoj se zgjedhja e statusit do t’i hap shumë dyer Kosovës.”

Gazetarja: Aktualisht cilat dyer ka të mbyllura Kosova? Çfarë nuk funksionon dhe nuk shkon këtu?

Kosovari 1: “Po këtu gjithçka është peng nga burokratët e UMNIK-ut, të cilët i kanë pezulluar shumë aktivitete, duke filluar nga privatizimi, shumë fabrika nuk funksionojnë, shumë ndërmarrje që kanë qenë gjigande nuk janë në funksionim, rinia ka humbur shpresën dhe mesi pret të dalë jashtë, sepse nuk ka shpresë.”

Kosovari 2: “Ku me punu me se s’ka punë.”

Gazetarja: Si mund të vijë puna? Duke votuar juve, çfarë i sillni me votën tuaj?

Kosovarja: “Qe e kemi obligim këtë votë me e bo dhe kisha desht, pavarësia me kenë.”

Edhe pjesa serbe tregon se s’ka ekonomi, ka papunësi. Ata serbë më afër qendrës, të pa larguar ende tregojnë se kanë besim tek shqiptarët, të tjerë urrehen. Madje në fshatin Gllaçavic ka nga ata që tentojnë e na flasin shqip.

Gazetarja: A shkove në qendër votove?

Serbja: “S’kam shkollë, s’kam kurrgjë.”

Gazetarja: Po të tjerët shkuan?

Serbja: “Po shkuan.”

Gazetarja: Po shqip ku ke mësuar?

Serbja: “Në Lupjanë.”

Shqiptarët bënë ftesë për votim, serbët bojkotuan, e kjo është thirrje nga qendra e tyre, janë në shtëpitë e tyre, por mysafirë. Nuk paguajnë taksa, energji e telefon, ju pëlqen veçimi. Ky është edhe kushtrimi i pavarësisë.

Një popull që tregoi këtë urtësi, mësojmë se është i aftë të jetojë mëvetësinë e tij. Kjo kërkohet nga të gjitha palët, nuk ju duhet lënë më një zoti të pa merituar mbi krye. Bashkësia ndërkombëtare e kreu misionin e saj. Këto zgjedhje nuk ishin as kaos dhe as fundi i botës. S’kishte presion e rezultati dihet, fitoi Kosova. Ndoshta qetësia e zgjedhjeve vjen prej shtatoreve të Nënë Terezës, që gjenden kudo në Kosovë, e Shqipëria do t’i ketë të tilla ato mbase pas vënies së një shtatoreje të tillë në Tiranë./tvklan.al

Gazetare: Holta Zhiti