Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Gazetarja:- Ndodhemi në qendrat e votimit pranë shkollës “Pjetër Budi”, ku fati ndoshta e ka dashur që të vijnë të votojnë në të njëjtin vend, dy kandidatët kryesorë për Bashkinë e Tiranës zoti Spartak Ngjela, i cili ka mbërritur këtu rreth orës 10:30 minuta dhe ka votuar në Qendrën e Votimit 1901 dhe ndërkohë pritet të mbërrijë nga momenti në moment edhe kryetari aktual i Bashkisë së Tiranës zoti Edi Rama, i cili do të votojë në Qendrën e votimit 1902. Deri në këto momente sipas komisionerëve ka mbërritur një numër votuesish mbi 130 vetë dhe votimi po shkon tepër normal, pa asnjë lloj incidenti.

Spartak Ngjela:- “Votojmë për ndryshimin që të eliminojmë krizën. Kurse këtu mund t’ju them që votat, procesi i votimit, presupozon gjithmonë ndërrimin e pushteteve. Nuk do të thotë afirmimin e pushtetit ekzistues, votim do të thotë të ndërrohen pushtetet. Kjo është nocioni i demokracisë, aktualisht ndërrimi i këtij pushteti vendor koencidon edhe me eliminimin e krizës. Ne mendojmë që do ta ndryshojmë faqen e pushtetit”.

Gazetarja:- Zoti Ngjela do e pranoni rezultatin?

Spartak Ngjela:- “Po natyrisht do e pranojmë rezultatin, në qoftë se rezultati ecën kështu në këtë gjendje. Në qoftë se votimet janë kjo që pashë unë sot, natyrisht që do e pranojmë rezultatin, neve kurrë nuk mund të mos pranojmë rezultatet e zgjedhjeve të lira, por mund t’ju them një gjë, që ka probleme me listat. Komisionet duhet të tregohen të vëmendshëm dhe pastaj firmosin, apo nuk firmosin, do jetë kanë votuar apo s’kanë votuar personat. Në qoftë se kjo është e papërfillshme, natyrisht që komisionet do të shikojnë normalitetin e zgjedhjeve. Duhet të kemi parasysh edhe diçka tjetër, që demokraci do të thotë edhe marrëveshje. Do forcë të pranosh demokracinë, ne e kemi treguar, të paktën unë e kam treguar që kemi forcë për të pranuar demokracinë”.

Gazetari:- Avokat, ju jeni ankuar në KQZ, sa votues pretendoni se janë hequr nga lista?

Spartak Ngjela:- “Jo nuk pata ndonjë numër të saktë, po në një zonë pati probleme, mu ankuan individët dhe vajta direkt tek kryetari i KQZ, i shpreha shqetësimin, unë jam i vëmendshëm për procesin zgjedhor. Ai më garantoi mos ki problem, se nuk do të ketë njerëz që s’do votojnë. Problemi është që të votojnë njerëzit, pastaj se për kë votojnë, atë e dinë ata”.

Edi Rama:- “Një nga të metat ndoshta të këtij procesi zgjedhor, që ndanë dhe njerëzit brenda së njëjtës familje të shkojnë të votojnë në qendra të ndryshme, por e kompensuar me kënaqësi. Nga ana tjetër unë nuk besoj se ka ndonjë dyshim, as midis jush, që rezultati i sotëm do të jetë fryt jo vetëm i tre viteve transformim, por edhe i një vullneti të palëkundur të komunitetit kryeqytetas, për të shkuar më tutje drejt rrugës së ndërtimit të Tiranës Europiane, pra nuk kam asnjë dyshim, që fitorja e komunitetit kryeqytetas dhe projektit të Tiranës europiane do të jetë jo vetëm e qartë, por edhe e thellë”./tvklan.al

Gazetare – Fjodora Fjora