Pas 3 ditë kërkimesh është gjetur i gjallë në brigjet e Kroacisë një nga tre personat e gomones së zhdukur që prej ditës së diel në Adriatik. I mbijetuari është 34-vjeçari Romeo Pulizo. Ai u identifikua nga rojet bregdetare kroate rreth orës 11:30 të paradites në bregun e ishullit Mljet, 30 milje larg Dubrovnikut.

Pulizo kishte dalë në breg me not dhe u gjet në gjendje kome. Pas ndihmës së parë mjekësore ai ka tejkaluar rrezikun për jetën dhe dëshmia e tij konsiderohet e domosdoshme për gjetjen e dy personave të tjerë.

Gjetja e tij është komunikuar dhe nga komanda e forcave detare në Durrës, e cila ka ndjekur minutë pas minuti operacionin e kërkim-shpëtimit të koordinuar nga roja bregdetare malazeze dhe ato kroate.

Kristaq Gerveni: “Ne personalisht nuk kemi komunikuar dot me personin që ka mbijetuar, për arsye se e fikte celularin si duket për kë kursyer bateri. Nga qendra operacionale e forcave detare të Kroacisë në orën 11:55 na u raportua se u gjend i gjallë një person i quajtur me emrin Romeo. Dhe ai sipas asaj që kishim neve është Romeo Pulizio. Gjatë natës ka braktisur gomonen dhe ka notuar ka parë bregun dhe ka notuar drejt bregut.”

Lajmi i gjetjes së 34-vjeçarit ka mbërritur në orët e para të mesditës edhe në shtëpinë e të mbijetuarit Romeo Pulizo.

“Ndihem si një nënë që kam fituar botën.”

“Kemi akoma emocion të tronditjes që na krijojnë akoma ato lotimet e dhembshurisë.”

Orët e fundit policia kufitare malazeze ka gjetur dhe një trup të pajetë në ishullin Mljet, në Kroaci ku u gjet Pulizo. Dyshohet se viktima mund të jetë një nga dy personat ende të zhdukur, por gjithçka mbetet e pakonfirmuar./tvklan.al

Gazetar: Leonard Mitro