Që prej mesditës së të enjtes, fusha e mbetjeve në Vlorë vijon të jetë e përfshirë nga flakët. Siç shihet edhe në këto pamje tymi i madh i shkaktuar ka përfshirë të gjithë qytetin bregdetar të Vlorës, pikërisht në mesin e sezonit turistik.

Zjarri ka vijuar përgjatë gjithë natës, pavarësisht punës së mjeteve të bashkisë për shuarjen e flakëve. Paraprakisht dyshohet për zjarrvënie të qëllimshme.

Materialet e plastikës e bëjnë edhe më të vështirë izolimin dhe shuarjen e flakëve, ndërsa tymi ka “pushtuar” qyteti i Vlorës.

Kjo është e disata herë që kjo fushë mbetjesh përfshihet nga flakët.  E njëjta gjë ndodhi edhe vitin e kaluar, pikërisht në sezonin e verës dhe zgjati për gati dy javë.

Për zjarrin në Rrogozhinë e Kavajë, policia ka arrestuar në flagrancë autorët e dyshuar.

Pas këtij arrestimi ka reaguar Ministri i Brendshëm Taulant Balla në një postim në rrjetet sociale,duke kujtuar se zjarrvënia e qëllimshme është një krim i rëndë dhe dënohet deri në 15 vite burgim.

“Policia dhe strukturat e tjera vartëse të saj, do të kenë tolerancë zero në këtë drejtim”-thekson Balla.

Sipas Agjencisë kombëtare të emergjencave civile në 24 orët e fundit janë shuar 17 vatra zjarri, por vijojnë të mbeten problematike 5 vatra të tjera. Falë ndërhyrjes së forcave zjarrfikëse, në fshatin Zogaj në bashkinë Tropojë është bërë e mundur shmangia e rrezikut për banesat e lagjes “Hajdarmataj”, ku janë të angazhuar edhe tre helikopterë të KFOR dhe forca nga Kosova, po ashtu është bërë e mundur shmangja e banesave në fshatin Malecaj dhe fshatin Torovicë, në bashkinë Lezhë, ndërkohë vijon puna edhe në vatrat e tjera.

“Po punohet nga forcat në një tjetër vatër aktive në fshatin Hoten, Vau Dejës, në vendgrumbullimin e mbetjeve të bashkisë Vlorë, për të cilin janë angazhuar kapacitetet në nivel qarku të mbështetura nga kapacitete të pushtetit qendror si dhe në një vatër zjarri në bashkinë Konispol, fshati Shalës,” u tha nga Emergjenca Civile.

Emergjencat Civile u bëjmë thirrje qytetarëve që të raportojnë në kohë në numrat e emergjencave për çdo problematikë.

Klan News