Dy shtëpi janë djegur dhe disa të tjera janë rrezikuar si pasojë e zjarrit të rënë gjatë mesditës në fshatin Gruemirë të Malësisë së Madhe.

Një kamion, i cili transportonte bar të thatë, ka marrë flakë duke u bërë shkak për përhapjen e zjarrit në kodrat e zonës e duke djegur hektarë të tëra me shkurre dhe kullota.

Zjarri ka rrezikuar dhjetë fshatra ndërkohë që flakët kanë mbërritur shumë afër shtëpive të banuara.

Banorët në fshatin Gruemirë janë evakuuar për arsye sigurie. Për të vënë nën kontroll flakët autoritetet lokale kanë thirrur në ndihmë forcat e ushtrisë.

Terreni i vështirë nuk u ka lejuar forcave të zjarrfikëses të ndërhyjnë në të gjitha vatrat e zjarrit.

Sipas policisë shkaku i zjarrit është bërë kontakti i barit të thatë me telat e energjisë elektrike.

Vetëm në orët e pasdites forcat zjarrfikëse kanë mundur të lokalizojnë zjarrin duke parandaluar përhapjen e tij në zonat e banuara.

Edhe në zonën e Vunoit dhe Potamit në Himarë flakët kanë djegur sipërfaqe të tëra me shkurre dhe ullishte duke rrezikuar shtëpitë e banuara.

Në plazhin e Potamit flakët u janë afruar antenave të kompanive celulare, por pa i dëmtuar ato.

Era e fortë ka favorizuar përhapjen e flakëve, ndërkohë që për shuarjen e tyre janë mobilizuar banorët e zonës.

Petrit Çarçani: “Në orët e paradites u ndezën disa kullota barishte në Potam të Himarës dhe në zonën këtu të Panoramës, e shikoni dhe vetë, zjarre të vëna në mënyrë të qëllimshme nga barinj  që pastrojnë zonat për kullotë”.

Forcat zjarrfikëse nuk kanë mundur të depërtojnë në zonë për shkak të terrenit të vështirë, ndërkohë që flakët dhe tymi kanë kërcënuar edhe hotelet përreth./tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle