Në Shqipëri, 17 shkurti është festuar më së shumti nga shqiptarët e Kosovës që jetojnë në zona të ndryshme të vendit dhe më pak nga pjesa tjetër. Në bashkitë e mëdha është ndjerë dukshëm mungesa e organizimit të aktiviteteve.

“Do të shkojmë në Tiranë ta festojmë këtë ditë të madhe, se këtë ditë e pret mbarë kombi shqiptar jo vetëm Kosova.”

“Unë jam nga Maqedonia e Gostivarit erdha këtu në Shqipëri për të festuar bashkë me shokët.”

Shumica e banorëve të komunës Dermenas në Fier të ardhur nga Kosova në vitet 20 udhëtuan drejt Prishtinës për të ju bashkuar ndërsa më të moshuarit shprehen të lumtur që arritën të jetojnë këtë ditë.

“Gëzuar, për pavarësinë e Kosovës, Kosova sot e ka festën e vet.”

“Po ka festë Shqipëria dhe Kosova bashkë, Shqipëria e Kosova do bëhen bashkë.”

Në fshatin Barbullin të Lushnjës pronarët e lokaleve kanë ofruar gjithçka falas për banorët e fshatit. Ata që i janë gëzuar më shumë festës kanë qenë nxënësit e shkollës 9-vjeçare.

“Me rastin e 1 vjetorit të pavarësisë së Kosovës vëmë në dispozicion lokalin tonë falas.”

“Ne shqiptar të lindur në Shqipëri, por me origjinë jemi të ardhur nga Kosova, ndihmi shumë të gëzuar.”

Në Elbasan bashkia është kujdesur për vendosjen e flamujve ndërsa festimet janë përqendruar në disa shkolla të qytetit dhe në lagjen 5 maji të banuar nga shqiptarë të Kosovës.

“Unë jam kosovar edhe unë gëzohem që për festën e Kosovës edhe ne jemi shumë shumë solidar me festën e madhe të Kosovës.”

Në qytete të tjera të vendit si Shkodra, Korça Vlora, Gjirokastra e Lezha ceremonitë kanë qenë të kufizuara dhe dekori më i varfër se në ditën e Shën Valentinit./tvklan.al