Janë afro 2,600 subjekte në të gjithë vendin që preken nga sistemi i ri i faturimit, të ndara në tre kategori, subjektet që operojnë vetëm si furra buke, por tregtojnë edhe produkte pastiçerie, si dhe subjektet që janë të integruara si furrë buke-produkte pastiçerie, përfshirë edhe bar-kafe.

Zëvendëskryeministrja, Belinda Balluku, së bashku me Administratorin e OSHEE, vizituan një prej subjekteve i cili krahas furrës së bukës ofron edhe shërbimet e integruara. Balluku e cilësoi skemën e re të faturimit si të drejtë dhe që i jep fund një problematike shumëvjeçare.

Belinda Balluku: Të gjithë do të trajtohen në mënyrë të barabartë, do trajtohen në mënyrë të rregullt, sepse ne nuk duhet të harrojmë që energjia përgjithësisht shkon mbi 20% të kostos së një produkti dhe duke shkuar mbi 20% të kostos së një produkti është shumë i rëndësishëm. Ndaj kur ka një trajtim të barabartë në treg dhe një trajtim të drejtë edhe konkurrenca mes palëve do jetë e drejtë sepse këtu ishte problemi konkurrencës. Kështu që kemi stabilizuar njëherë e mirë të gjithë këtë proces, duke arritur dhe duke pasur transparencë përsa i përket matjes mujore.

Administratori i OSHEE, sqaroi se pas miratimit të skemës së re, grupet e punës kanë nisur verifikimet në terren për të bërë ndarjen e subjekteve sipas tre kategorive.

Enea Karakaçi, administrator i OSHEE: Edhe nga ana e subjekteve të furrave të bukës ka pasur një bashkëpunim maksimal. E kanë kuptuar procesin. E dinë që është për të mirën e tyre. Ato që janë subjekte të mëdha, patjetër e dinë që kanë një aktivitet shumë më të gjerë dhe ndoshta mund të paguajnë diçka më tepër.

Me skemën e re te faturimit furrat e bukës, të cilat tregtojnë vetëm bukë, do të faturohen me çmimin 7.6 Lekë për kilovatorë, ato që krahas bukës tregtojnë edhe produkte pastiçerie, do të kenë një çmim prej 9.5 Lekë për kilovatorë, ndërsa subjekte që krahas bukës tregtojnë edhe produkte pastiçeri e funksionojnë edhe si bar-kafe do të faturohen me çmimin 12 Lekë për kilovatorë.

Klan News