Një numër i lartë drejtuesish mjetesh janë konstatuar në shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Sipas policisë, vetëm gjatë javës së fundit janë ndëshkuar rreth 28 mijë shoferë.

Zbulimi i shkeljeve rrugore u bë nga kontrollet me mjete inteligjente, radarë automatikë, dronë, dragera dhe së fundmi janë vënë në përdorim të policisë rrugore edhe teleskopët.

Në 7 ditë policia bën të ditur se ka pezulluar 126 leje drejtimi, për shpejtësi mbi normat e lejuara, drejtim mjeti nën efektin alkoolit apo qarkullim në sens të kundërt.

Gjithashtu janë vënë në pranga edhe 35 shoferë, po për të njëjtën shkelje.

Numrin më të lartë të gjobave e mban shkelje a parkimit të gabuar, ku janë ndëshkuar mbi 11 mijë shoferë. Shkelja tjetër është shpejtësia tej normave të lejuara, parakalimi i gabuar, mos përdorimi i rripit të sigurimit apo dhe përdorimi i celularit gjatë drejtimit të mjetit.

Policia e Shtetit njofton se edhe gjatë javës së ardhshme do të vijojnë monitorimet në rrugët urbane, interurbane dhe rurale nëpërmjet mjeteve inteligjente dhe bazës logjistike që ka në dispozicion.

Klan News