Fyerjet me bazë raciste i kanë kushtuar shtrenjtë tifozëve të Valencias. Për herë të parë në Spanjë, tifozë futbolli janë ndëshkua me burg pas sjelljeve të pahijshme kundër një lojtari.

Bëhet fjalë për tre prej tifozëve të Valencias, që u dënuan me 8 muaj burg pasi kanë fyer futbollistin e Real Madrid, Vinicius me gjeste dhe britma majmuni për shkak të ngjyrës së tij të lëkurës.

Tre tifozët u shpallën fajtorë për një krim kundër integritetit moral të rënduar nga diskriminimi me motive racore. Ata u dënuan fillimisht me 12 muaj burg, reduktuar në tetë muaj, pasi të pandehurit pranuan përgjegjësi penale.

Dënimet me burg prej më pak se dy vite për krime jo të dhunshme në Spanjë mund të shlyhen edhe me shërbim prove. Tifozët nuk do të përfundojnë pas hekurave, gjithsesi janë nën monitorimin e autoriteteve spanjolle.

Gjithashtu, tre tifozëve iu ndalua hyrja në stadiumet e futbollit për dy vite. Masë që natyrisht mund të jetë zbutur pasi të pandehurit i kanë shkruar një letër falje sulmuesi brazilian.

Episodi ndodhi në stadiumin “Mestalla” të Valencias në maj të vitit të kaluar, kur u lëshuan sharje me bazë raciste ndaj Vinicius gjatë ndeshjes së kampionatit spanjoll. Kjo situatë krijoi jo pak trazira në futbollin spanjoll dhe jo vetëm, teksa FIFA krijoi komitetin kundër racizmit e ku pjesë janë futbollistët aktiv.

Klan News