Pas zbulimit të skemës së abuzimit nga Prokuroria e Tiranës për zhvatje të pacientëve të sëmurë me tumor, të cilët transferoheshin nga spitali shtetëror në klinika private, shërbimi vijon normalisht në Spitalin Onkologjik në QSUT.

Pacientët e këtij spitali kanë kryer vizitat dhe ndërhyrjet e planifikuara sipas kalendarit edhe gjatë së Mërkurës.  Qytetarët të cilët shoqërojnë të afermit e tyre pranë këtij spitali, nuk pranojnë të komentojnë para kamerave masat e ndërmarra nga Prokuroria për 5 mjekë dhe specialistë të Spitalit Onkologjik në Qendrën Universitare Nënë Tereza.

Prokuroria thotë se në bashkëpunim me njëri-tjetrin ata orientonin pacientët e diagnostikuar me sëmundje tumorale në klinika private me qëllime përfitimi. Nga ana tjetër, Prokuroria ka dokumentuar raste të blerjes së ilaçeve me vlera të konsiderueshme për kimioterapi nga farmacitë. Flakoni për kimion varionte nga 250 deri në 1500 euro. Gjatë operacionit është sekuestruar një sasi e konsiderueshme ilaçesh kontrabandë dhe një shumë prej 120 mijë eurosh në subjektin “Flori Farma”.

Edhe Ministrja e Shëndetësisë Albana Koçiu reagoi pas skandalit të zbuluar tek Onkologjiku duke e cilësuar si histori të neveritshme dhe të paprecedentë mbi të gjitha kur bëhet fjalë për jetë njerëzish.

Klan News