Përparim Dervishi: “Ekonomia shqiptare është motori kryesor, i cili gjeneron të ardhura. Importet gjatë këtij 6 mujori kanë shënuar një rritje pre 13%, ndërsa eksportet me origjinë shqiptare  41% më shumë se sa 6 mujorin e kaluar.”

Pavarësisht rritjes së eksporteve shqiptare gjatë gjysmës së parë të këtij viti, vihet re një thellim i deficitit tregtar. Kështu diferenca mes importeve dhe eksporteve rezulton të jetë rritur me 11%. Nga ana tjetër edhe vetë struktura e eksporteve shqiptare vazhdon të dominohet nga rieksportet të cilat zënë 65% të totalit.

Gjatë analizës për 6 mujorin drejtori i Përgjithshëm i Doganave, referuar shifrave evidenton se nuk është ulur fuqia blerëse pavarësisht rritjes së çmimeve të mallrave të importit.

Përparim Dervishi: “Është e vërtetë që ka rritje në tregun e mallrave ushqimore, por statistikat tona tregojnë që jo vetëm këto rritje çmimesh në mallrat ushqimore nuk kanë ndikuar në uljen e kërkesës për këto mallra, por kemi rritje të saj. Pra treguesit e doganës tonë që fuqia blerëse e qytetarëve shqiptarë nuk ka rënë.”

Gjatë gjysmës së parë të këtij viti janë zbuluar rreth 224 shkelje doganore, me një vlerë gati 576 milion lekësh, duke ulur kështu evazionin dhe kontrabandën. Një lajm i mirë është edhe modernizimi i infrastrukturës në sistemin doganor, falë investimeve për hapjen e pikave të reja dhe rehabilitimin e pikave ekzistuese të kalimit kufitar./tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro

Operator: Isdor Rudho