Administrata doganore zhvillojnë analizën vjetore të saj për vitin 2008. Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Përparim Dervishi, bëri një paraqitje të performancës së dikasterit që ai drejton duke treguar arritjet e vitit 2008. Sipas Dervishit të ardhurat nga doganat u rritën me 13%, krahasuar me 2007-n.

Përparim Dervishi: “Në vitin 2008 krahasuar me 2007-n, ne kemi realizuar 13% më shumë të ardhura dhe kam qenë i saktë kur kam thënë që ne kemi realizuar 12 miliard lekë më shumë të ardhura në vitin 2008 krahasuar me 2007-”.

Pavarësisht arritjeve Zv/Ministri i Financave, Florion Mima, kërkoi më shumë vëmendje ndaj aspekteve të tilla si thjeshtimi i procedurave tatimore apo zgjidhja e ankesave të ndryshme që bëhen nga tregtarët.

Florion Mima: “Do kisha preferuar që të dëgjoja tregues, indikator të tillë të themi si koha e zhdoganimit të një ngarkese. Rastet e përdorimit të çmimeve të referencës, sa % të deklaratave doganore ndaj totalit të deklaratave janë aplikuar çmimet e referencës. Tregues të tillë, përgjithësisht japin të kuptosh më drejt dhe më saktë se ç’po ndodh me sistemin”.

Sipas Dervishit në vitin 2009, vëmendje të veçantë do t’i kushtohet realizimit të të ardhurave doganore. Një tjetër përparësi këtë vit do të ketë edhe vendosja e sistemit të integruar të skanerëve./tvklan.al