Administrata doganore ka zhvilluar analizën vjetore për vitin 2008. Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, zoti Përparim Dervishi, i bëri një përmbledhje performancës së dikasterit që ai drejton duke treguar arritjet e vitit 2008. Sipas Dervishit gjatë vitit të kaluar u arrit shumë në luftën kundër korrupsionit dhe evazionit fiskal.

Përparim Dervishi: “Në vitin 2009 e kemi detyrë prej 117 miliard lekë e cila është me 12 miliard më shumë se realizimi i vitit 2008. Do ta përfundojmë projektin … shërbimin online për procedurat e zhdoganimit. Gjatë 2009-s kemi një sfidë tjetër të cilën nuk e realizuam dot gjatë 2008-s siç është ngritja e një sistemi të integruar të skanerit me rreze X”.

Pavarësisht arritjeve zv/ministri i financave zoti Florion Mima, kërkoi më shumë vëmendje ndaj aspekteve të tilla si thjeshtimi i procedurave tatimore apo zgjidhja e ankesave të ndryshme që bëhen nga tregtarët.

Florion Mima: “Do kisha preferuar që të dëgjoja tregues, indikator të tillë të themi si koha e zhdoganimit të një ngarkese sa ishte në vitin 2007, sa shkoi në vitin 2008. Rastet e përdorimit të çmimeve të referencës, sa përqind të deklaratave doganore ndaj totalit të deklaratave janë aplikuar çmimet e referencës. Tregues të tillë, përgjithësisht japin të kuptosh më drejt dhe më saktë se ç’po ndodh me sistemin”./tvklan.al

Gazetar: Frjorald Zguro