Në kulmin e debatit politik për ligjin e ri të prokurorisë, Ministri i Drejtësisë hedh poshtë akuzat e opozitës, se drafti synon të vendos organin e akuzës në varësi të ekzekutivit.

Enkelejd Alibeaj: “Sistemi që kemi zgjedhur është sistem prokurorie i pavarur nga çdo lloj influence, mbi të gjitha politike dhe korruptive. Po sigurisht që është çështja se cili do të jetë masa, kundër balanca e konceptit të pavarësisë së prokurorisë. Ushtrimi i ndjekjes penale është funksion ekzekutiv, ushtrimi i ndjekjes penale nuk bëhet për teka ose qefe të dikujt ose të shumëkujt. Por bëhet thjeshtë dhe vetëm për interes të qytetarëve, që do të thotë pavarësi nga gjithçka dhe kushdo, por jo nga kushtetuta dhe jo nga ligji. Është munduar të krijohet një marrëdhënie e balancuar midis prokurorisë, Kuvendit, Ministrisë Drejtësisë dhe presidencës”.

Ndërkohë Alibeaj ka bërë publike edhe pikat kyçe ku ndërhyn ligji i ri për prokurorinë. Sipas tij drafti i përgatitur nga Ministria e Drejtësisë synon të rregullojë hirarkinë brenda organit të akuzës, të vendos sistemin e karrierës, të riformulohen kompetencat që ka prokurori i përgjithshëm, të heq imunitetin e prokurorëve. Këto sqarime ministri Alibeaj i ka bërë gjatë analizës së 7 mujorit të institucionit që ai drejton.

Në ndryshim nga ministritë e tjera Alibeaj ka preferuar ta lërë në dorë të drejtorëve të drejtorive që janë në varësi të tij, të vetë prezantojnë punën e bërë në këto 7 muaj. Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme ka patur një fluks të madh pune, aktualisht janë në proces regjistrimi fillestarë 10 mijë tituj pasurish.

Arben Qirjako: “Në 7 muaj, Zyrat Vendore të Pasurive të Paluajtshme i kanë kthyer përgjigje 330 mijë aplikimeve të qytetarëve dhe brenda muajit gusht, kjo shifër pritet të jetë 380 mijë”.

Në analizë raportuan edhe drejtoritë e tjera, ku vlen të përmendet çështja e dëmshpërblimit financiar të ish të përndjekurve politik, ku në shtator pritet të ketë një numër të konsiderueshëm aplikantësh për fitues./tvklan.al

Gazetare: Brunilda Cami

Operator: Enver Shehu

Montazh: Gerti Pema