Komisioni Evropian ka deklaruar se Ukraina dhe Moldavia kanë përmbushur kriteret për fillimin e negociatave, vendim që ju është komunikuar edhe shteteve anëtare të BE-së.

Zëdhënësja Ana Pisonero u tha gazetarëve në Bruksel se Ukraina dhe Moldavia kanë zbatuar reforma të jashtëzakonshme kundër korrupsionit. Kjo vendimmarrje pritet të hasë në pengesa si në rastin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për shkak të vetos së shteteve anëtare në këtë rast të Hungarisë.

Kryeministri Viktor Orbán vuri në dukje mungesën e masave konkrete nga Kievi për të mbrojtur të drejtat e pakicës hungareze. Problemet dypalëshe janë bërë pengesë si në rastin e Athinës, e cila ankohet për minoritetin grek në Shqipëri dhe Sofjes, e cila ankohet për minoritetin bullgar në Maqedoninë e Veriut.

Kancelari gjerman Olaf Scholz arriti disa muaj më parë që të shmangte kërkesën për votim unanim duke i kërkuar taktikisht kryeministrit hungarez të largohej nga salla e Këshillit Evropian gjatë votimit për fondet e destinuara për Ukrainën.

Qeveria e Presidentit Zelensky që atëherë e ka bërë prioritet forcimin e të drejtave të pakicave kombëtare në një përpjekje për të qetësuar Budapestin, duke përfshirë ndryshimin e ligjeve për të lejuar arsimin në gjuhët e pakicave, veçanërisht në hungarisht.

Në një letër drejtuar Belgjikës, e cila aktualisht mban presidencën e Këshillit të BE-së, 12 shtete anëtare kanë kërkuar që bisedimet e anëtarësimit të fillojnë përpara fundit të qershorit kohë kur Hungaria do të marrë presidencën e Këshillit të BE-së.

Mbledhja e Këshillit  të Çështjeve të Përgjithshme është caktuar për më datë 25 qershor, ku duhet të vendoset miratimi i kuadrit negociues për Ukrainën dhe Moldavinë në mënyrë që të zhvillohen konferencat ndërqeveritare me të dyja vendet.

Klan News