Anglia u kualifikua pas një ndeshjeje aspak të lehtë kundër Zvicrës, në gjysmëfinalet e Euro 2024. Në 120 minuta, loja e bukur mungoi, ndërsa aksionet ishin me pikatore nga të dyja kombëtaret.

Helvetët shënuan, por avantazhi i tyre zgjati 4 minuta. Ekipi i Xhakës dhe Shaqirit besoi deri në fund, por nga pika e bardhë e 11 metërshit, Akanji bëri gabimin e vetëm duke e humbur duelin me portierin anglez Pikford dhe “Tre luanët” festuan pas suksesit 5-3.

Në pjesën e parë, Anglia bëri një lojë të parashikueshme, pa i shqetësuar shumë helvetët. Por edhe zviceranët nuk përbënë shqetësim për portierin e “Tre luanëve”, Pikford.

45 minutat e para ishin të mundimshme për mbrojtësin e Zvicrës, Mikel Ebisher, i cili u driblua 5 herë nga Bukajo Saka. Në nisje të pjesë së dytë, ekipi i Murat Jakin tregoi më agresivitet në fushë.

Ndërsa “Tre luanët” e kishin shtuar presionin, Embolo në minutën e 75 e futi topin në rrjetë. Por avantazhi zgjati vetëm 4 minuta, pasi për Anglinë barazoi Saka. Në pjesën e parë shtesë, Somer priti një predhë të Rais. Në të 117, Shaqiri mund të kishte realizuar një eurogol, por fati nuk ishte me të.

Nga pika e bardhë e 11 metërshit, anglezët u treguan perfektë, ndërsa te helvetët ishte fatal gabimi i Akanjit. Me këtë triumf, ekipi i Southgate vazhdon garën për trofeun e lakmuar të kontinentit.

Klan News