Damir Fazlliç do të mbrohet ndaj hetimeve të Prokurorisë Shqiptare nga një grup i mirëfilltë juristësh, dy amerikanë dhe një shqiptar.

Dy avokatët amerikanë nga Uashington DC dhe avokati Genc Gjokutaj, janë ata që shtetasi britanik me origjinë boshnjake u ka besuar mbrojtjen ligjore përpara akuzave që shteti shqiptar ka ngritur ndaj tij.

Andrei Kokoran dhe Edurad Ros bashkë me avokatin Genc Gjokutaj janë paraqitur në Prokurorinë e Tiranës rreth orës 13 dhe kanë qëndruar në zyrën e prokurorit të çështjes, Artan Reshka vetëm për pak minuta.

Avokati Gjokutaj, nuk ka dashur të prononcohet për këtë takim, por mësojmë se ai u ka paraqitur prokurorëve prokurën e lëshuar nga klienti i tij, i cili është marrë në hetim Damir Fazlliç.

Ndaj tij prokuroria e task-forcë nisi hetimet kryesisht pas disa shkrimeve të botuara në gazetat shqiptare. Deri tani pista në të cilën po hetohet është ajo e pastrimit të parave nga ana e biznesmenit Damir Fazlliç.

Dy prokurorët e çështjes kanë bllokimin dhe sekuestron e të gjitha llogarive bankare dhe pronave të paluajtshme që Fazlliç ka në Shqipëri.

Dosja hetimore e Damir Fazlliç përbëhet kryesisht nga shkrime gazetash dhe kontrata të nënshkruara mes tij dhe administratorëve shqiptarë. Mësojmë se Damir Fazlliç do të paraqitet në prokurori, për të dhënë shpjegimin në lidhje me akuzat e ngritura nga prokuroria e krimit ekonomik./tvklan.al

Gazetare: Anduena Llabani