Një koleksion prej 3404 vezësh janë kapur në Australi gjatë një operacioni për tregtinë e paligjshme të  zogjve.

Koleksioni që mendohet të ketë një vlerë prej $400,000 deri në $500,000 u gjet në një pronë në Granton, Tasmania. Vezët ishin të zbrazëta çka tregon se shërbenin thjesht për zbukurim. Momentalisht po kryhet një analizë për të konfirmuar llojet e zogjve, por mendohet se përfshihen specie të rralla dhe të rrezikuara nga zhdukja.

Autoritetet po hetojnë një 62-vjeçar por ende nuk është kryer asnjë arrestim. I dyshuari do të paraqitet në gjykatë për kundravajtje të Aktit të vitit 1999 për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Biodiversitetit.

I dyshuari mendohet se është përfshirë në koleksionimin dhe grumbullimin e vezëve të zogjve të egër dhe tregtimin e zogjve endemikë dhe të listuar në CITES drejt klientëve përtej kufirit”, janë shprehur autoritetet.

Krimi mjedisor është kthyer në një prej sektorëve më të mëdhenj dhe me më shumë përfitime që po vijon të rritet dhe po shkakton zhdukjen e shumë llojeve bimore e shtazore.

Lista CITES është një marrëveshje ndërkombëtare midis qeverive që synon të mbrojë bimët dhe kafshët e rrezikuara nga tregtia ndërkombëtare. Sipas saj, vlerësohet se tregtia e jetës së egër vlen miliarda dollarë dhe varion nga kafshët e gjalla te nënproduktet e tyre.

Mbi 40.000 specie mbrohen nga konventa në të cilën bëjnë pjesë më shumë se 180 vende.

Ndërhyrja te zogjtë e rrezikuar dhe shtegtarë parashikon 7 vite burg, një gjobë $138,600 ose të dyja.

Eksporti i gjallesave endemike australiane, përfshirë vezët por edhe i llojeve të tjera veç atyre  vendase që janë të renditura në listën CITES përfshin deri në 10 vite burg, $330,000 gjobë ose të dyja.

Posedimi i gjallesave të listës CITES, përfshirë vezët, parashikon deri në 5 vite burg, $330,000 gjobë ose të dyja./tvklan.al