Gjatë një takimi me strukturat policore të Lezhës, Ministri i Brendshëm Taulant Balla tha se janë marrë të gjitha masat për një sezon të sigurt veror, por edhe mbarëvajtjen e sigurisë jashtë territorit të Qendrës Pritëse të emigrantëve që po ngrihet në Shëngjin dhe Gjadër. 

“Të vazhdojmë të ruajmë këtë arritje, ta konsolidojmë duke certifikuar Shqipërinë si një vend me siguri mbresëlënëse dhe e vërteta është se nuk e themi vetëm ne, por tashmë e thonë të gjithë ata që vizitojnë Shqipërinë.”

Sipas ministrit Balla siguria rrugore gjatë sezonit veror do të ketë në fokus të veçantë.

“Presim 14 milion turistë dhe 4.5 milion automjete në rrugët shqiptare. 4.5 milion automjete është realisht një operacion i vështirë për të garantuar rregullin dhe sigurinë në rrugë. Megjithatë unë jam shumë i sigurt që ne do të kemi një sezon turistik të qetë.”

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku bëri me dije se në mbikqyrje do jenë të gjitha zonat turistike përfshi dhe ato malore.

“Policia e Shtetit do të mbajë barën kryesore sa i përket çështjeve të rendit dhe të sigurisë kudo në plazhe në të gjithë zonën bregdetare të Shqipërisë, në zonat malore në lidhje me turizmin malor, por edhe në të gjithë zonat turistike, vendet historike, pedonalet, sheshet.”

Edhe kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu shprehu angazhimin maksimal për mbarëvajtjen e sezonit turistik.

“Vullnetin e drejtuesve të ministrisë së Brendshme, por edhe të qeverisë e kemi. Mbështetjen e pushtetit lokale e keni. Besoj se do ja dalim me sukses për të interpretuar një sezon turistik dinjitoz ku në fakt ne pikë së pari do të përfitojmë, por edhe Shqipëria do të përfitojë shumë.”

Gjatë këtij takimi Balla njoftoi punonjësit e policisë se veç rritjes së pagës nga një Korriku do të marrin edhe pagesën e ushqimit, e cila për 6 muajit e parë të vitit 2024 do të merren e gjitha bashkë.

Klan News