Ministri i Brendshëm Taulant Balla u takua në Washington, me Kryetarin e Komisionit Special në Kongresin Amerikan, John Moolennar. Balla zhvilloi një bisedë, që e konsideroi të frytshme, mbi sigurinë kibernetike dhe mbrojtjen e përdoruesve të internetit dhe rrjeteve sociale nga dhuna online.

“Ne i kushtojmë një vëmendje të shtuar keqpërdorimit të rrjeteve sociale për veprimtari apo promovim të sjelljeve të paligjshme. Është i domosdoshëm verifikimi i moshës dhe identitetit të përdoruesve, monitorimit të kohës së qëndrimit, monitorimit prindëror me qëllim shmangien e varësisë tek fëmjët dhe adoleshentët”, nënvizoi ministri i Brendshëm pas takimit me zyrtarin amerikan.

Kongresi Amerikan dhe Parlamenti Europian kanë kërkuar monitorim të detajuar gjatë periudhave zgjedhore, për të shmangur dezinformimin dhe ndërhyrjet në proceset zgjedhore. Kongresmeni Moolenaar është një zyrtar i njohur dhe mik i rëndësishëm i diasporës shqiptare në Michigan./tvklan.al