Frenohet ritmi i rritjes së kredive me probleme në sistemin tonë bankar. Sipas raportit më të fundit të publikuar nga Banka e Shqipërisë tremujori i tretë i 2008 shënoi rritjen e portofolit të kredisë me probleme në masën 4.3 % , ndërkohë që ky tregues gjatë tre mujorit të parë ishte 25.2 % dhe 21.6 % në atë të dytë.

Po kështu, treguesi që mat cilësinë e portofolit të kredive u përmirësua lehtësisht nga niveli 4.3 % në tremujorin e dytë në  4.1%  gjatë 3 muajve të fundit. Sipas bankës qendrore këta tregues mbi cilësinë e kredisë konsiderohen në nivele relativisht të mira krahasuar me vendet e rajonit.

Ekspertët shpjegojnë se shtimi i mbikëqyrjes nga ana e Bankës se Shqipërisë ndaj bankave tregtare si edhe vënia në punë e regjistrit të kredive kanë dhënë ndikimin e tyre në frenimin e kredisë me probleme në sistem. Kredia e keqe, pra marrja dhe më pas mos shlyerja e huasë ishte shkaktare e furtunës financiare që u regjistrua në SHBA u transferua më pas në shumë vende të tjera të Evropës./tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro