Çekia do të mbështesë procesin e aplikimit të Shqipërisë për statusin e vendit kandidat për në Bashkim Europian. Garancinë kryeministri Berisha e mori nga presidenti çek Vaslav Klaus, vendi i të cilit mban presidencën e radhës të unionit. Takimi i zhvilluar mes dy personaliteteve në Davos ku mbahet dhe Forumi Botëror Ekonomik u fokusua në përpjekjet e qeverisë shqiptare me synim integrimin e vendit.

Sali Berisha:Presidenti më garantoi se vendi i tij do ta mbështesë këtë kërkesë dhe se sukseset e Shqipërisë janë evidente.”

Kryeministri Berisha përfitoi nga rasti të falënderojë presidentin Klaus për mbështetjen që Çekia i ka dhënë dhe i jep Shqipërisë në këtë drejtim. Klaus u shpreh mjaft pozitiv mbi arritjet e qeverisë shqiptare si në aspektin ekonomik ashtu dhe në atë politik, duke u ndalur veçanërisht më luftën kundër korrupsionit dhe krimit më vend. Sipas presidentit çek, përpjekjet në këtë drejtim të qeverisë kanë qenë të suksesshme. Ky konstatim e nxiti presidentin Klaus, të garantoi kryeministrin Berisha se është i mirëpritur aplikimi për statusin e vendit kandidat brenda presidencës çeke.

Berisha- Klaus vlerësuan po aq dhe rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve ekonomike mes 2 vendeve. Kryeministri shqiptar tha se privatizimi i operatorit të sistemit të shpërndarjes nga një kompani e madhe çeke siç është ÇEZ i ka hapur rrugën afrimit të shumë kompanive të tjera. Gjatë qëndrimit në Davos kryeministri Berisha u takua dhe me kryetaren e bordit të Transperency International, Huget Label.

Sali Berisha:I kërkova ndihmë dhe mbështetje këtij thinktenku, kësaj organizate e cila është më e specializuara në botë në problemet e luftës kundër korrupsionit. Zonja Label më tha se do të diskutojë gjerësisht për rrugë dhe mënyrat për të ndihmuar Shqipërinë, për të shndërruar vullnetin e kryeministrit dhe të qeverisë  shqiptare në reforma të mëtejshme, të cilat janë interesi më i mirë publik i shqiptarëve.”

Kryeministri Berisha e njohu Label me luftën e vendosur të qeverisë kundër korrupsionit në çdo hallkë duke vënë theksin veçanërisht në reformat e ndërmarra për digjitalizimin e shërbimeve për regjistrimin e biznesit, prokurimet publike, në tatime dh dogana si dhe reduktimin e lejeve dhe licencave. Berisha shprehu vendosmërinë e qeverisë për të ndërmarrë çdo hap të nevojshëm që ky fenomen të luftohet me efikasitet si prioritet i qeverisë shqiptare. Label vlerësoi sukseset e arritura nga Shqipëria në luftën kundër korrupsionit dhe ofroi mbështetjen e saj dhe të Transperency International për vazhdimin me sukses të kësaj lufte./tvklan.al

Gazetare Menada Zaimi