Tre javë ka zgjatur pritja e Kastriotit për të shijuar fitoren e parë të sezonit në Kategorinë e Parë. Krutanët morën maksimumin në shtëpi, përballë Lushnjes me shifrat 2-1. Vendasit ishin në disavantazh, por në minutat e fundit të ndeshjes përmbysën rezultatin. Xhabrahimi kaloi në epërsi Lushnjen në të 54-ën për të krijuar iluzionin e një tjetër fitoreje të tyre.

Ai u tregua i saktë në zonë për të mposhtur portierin kundërshtarë dhe kaluar në avantazh Lushnjen. Gjithsesi, reagimi i Kastriotit ishte i shpejtë. Musaj vendosi ekuilibrat e rezultatit në të 76-ën, teksa pak minuta nga fundi e vulosi fitoren e krutanëve, Qyra.

Në krahun tjetër, Valbona fitoi 1-0 ndaj Erzenit, teksa Korabi mori maksimumin me Burrelin në derbi, ndërsa Kukësi zhgënjeu duke u mposhtur 1-2 nga Apolonia. Në sfidën tjetër, Besa fitoi në transfertën e Pogradecit 2-0. Kavajasit janë ata që nuk njohin rezultat tjetër përpos fitores në këtë sezon, duke kryesuar edhe renditjen me pikë të plota pas tre javësh.

Mbi të gjitha, Besa nuk ka pësuar asnjë gol deri më tani, për të qenë edhe me mbrojtjen më të mirë. Ndryshe nga skuadra verdhezi, Erzeni është skuadra që nuk po bind, pasi ka pësuar humbje në të tre takimet e para.

Klan News