Zëdhënësi i ushtrisë izraelite Daniel Hagari e cilësoi qëllimin e Izraelit për të çrrënjosur grupin terrorist Hamas si të paarritshëm, duke nënvizuar tensionet midis kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe zyrtarëve të lartë të mbrojtjes lidhur me trajtimin e tij të luftës në Gaza.

“Ky plan i shkatërrimit të Hamasit, i zhdukjes thjesht hedh rërë në sytë e publikut. Hamasi është një ideologji. Është e rrënjosur në zemrat e njerëzve kushdo që mendon se ne mund ta eliminojmë Hamasin e ka gabim”, tha Hagari në një intervistë për Channel 13.

Hagari paralajmëroi gjithashtu se nëse qeveria nuk gjen një alternativë Hamasi do të mbetet në Rripin e Gazës. Në përgjigje, zyra e Netanyahut tha në një deklaratë se kabineti i sigurisë ka përcaktuar si një nga qëllimet e luftës shkatërrimin e aftësive ushtarake dhe qeverisëse të Hamasit.

Komentet e Hagarit i bënë jehonë komenteve që ai bëri muajin e kaluar, kur tha se nuk ka dyshim se një alternativë qeveritare ndaj Hamasit do të krijonte presion mbi Hamasin. Ministri i Mbrojtjes Yoav Gallant i ka kërkuar Netanyahut të avancojë planet për qeverisjen e pasluftës të Gazës, duke paralajmëruar në maj se dështimi për të gjetur një zëvendësues për Hamasin do të minojë arritjet ushtarake të Izraelit pasi grupi terrorist do të jetë në gjendje të rigrupohet dhe të rivendosë kontrollin e enklavës. Për më tepër, Gallant i bëri thirrje Netanyahut të përjashtonte idenë e sundimit ushtarak dhe civil izraelit në Gaza pas përfundimit të luftës.

Tashmë ka pasur shenja të hapura pakënaqësie për trajtimin e luftës nga qeveria e Netanyahut, një koalicion që përfshin ekstremistët e krahut të djathtë që kundërshtojnë çdo lloj zgjidhjeje me Hamasin. Muaj bisedimesh të ndërmjetësuara ndërkombëtarisht për armëpushim, duke përfshirë një propozim të paraqitur këtë muaj nga Presidenti i SHBA Joe Biden, kanë ngecur.

Në fushën e betejës ushtria izraelite kreu një sërë sulmesh vdekjeprurëse në qendër të Gazës, duke përfshirë në Nuseirat dhe Deir el-Balah. Tanket izraelite janë futur në pesë lagje të Rafahut perëndimor, duke bombarduar tendat e njerëzve të zhvendosur.

Klan News