Çmimi i karburanteve në tregun vendas vazhdon të mbetet i lartë. Televizioni Klan përmes kronikave të njëpasnjëshme ka sjellë për publikun fakte dhe komente të aktorëve që diktojnë apo monitorojnë tregun shqiptar të karburanteve.

Çmimi i naftës dhe benzinës, njohu ditët e fundit një ulje modeste, megjithatë rezulton të jetë deri 45 lekë më i lartë për litër nga sa duhej të ishte në kushtet aktuale të tregtimit të arit të zi në bursat ndërkombëtare si dhe të kursit të këmbimit të dollarit me monedhën vendase. Javën e kaluar një litër benzinë ka dalë nga dogana për vetëm 84 lekë, përfshi çmimin e blerjes, koston e transportit, akcizën, tatimin mbi vlerën e shtuar apo taksen e karbonit, ndërkohë që është tregtuar në pikat e pakicës në kryeqytet për rreth 130 lekë për litër.

Edhe duke ju referuar të dhënave nga instituti i statistikës, çmimi i naftës nuk duhej të ishte më i lartë se 95 lekë për litër, aq sa ka qenë edhe në pranverën e vitit 2005 kur nafta kuotohej në bursë po për 50 dollarë fuçia, dhe kur kursi i këmbimit me monedhën e gjelbër ishte po të njëjtat nivele kundrejt lekut. Por grosistët thonë se kanë ende rezerva karburanti të blera me çmime të larta, ndonëse nafta në bursë ka javë të tëra që qëndron në të njëjtat nivele.

Mbi ketë çështje autoritet i konkurrencës pritet shumë shpejt të publikojë raportin e hetimit të ushtruar në tregun vendas të karburanteve. Konsumatorët, mbi të cilët rëndon barra e çmimit, janë ndërgjegjësuar për mungesën e elasticitetit në reflektimin e çmimeve të karburanteve në treg dhe kërkojnë uljen e çmimit.

“Janë ul po dhe aq saç duhet jo. Hajt të ishte 100 lekë të paktën”.

“Shumë i lartë është. 90 lekë ose 100 lekë të reja”.

“Cilësia është vajguri”.

“Çmimi i karburantit është i shtrenjtë. Duhet të ulet, duhet të ishte 950 euro/diseli dhe 900 mund të ishte e zakonshmja”./tvklan.al

Gazetari: Fjorald Zguro

Operator: Izmir Hajdari

Montazh: Ergis Hasanbelli