Trajneri i Spanjës Luis de la Fuente e ka vlerësuar Kombëtaren Shqiptare dhe punën e Silvinjos me kuqezinjtë. Në një intervistë ekskluzive për Tv Klan ai tha se Shqipëria mund të jetë surpriza e këtij edicioni.

“Personalisht duke njohur mirë Shqipërinë, nuk është se jemi befasuar shumë. E dimë që është një skuadër që është rritur shumë, që ka shumë potencial dhe futbollistë shumë të mirë. Ka një trajner shumë të mirë që ka bërë një punë të mirë dhe që mund të jetë një surprizë e madhe në këtë kampionat europian”.

Trajneri i Spanjës tha se e respekton Shqipërinë, por ekipi i tij do të kërkojë fitoren.

“Mëshira në futboll nuk duhet të ekzistojë. Ne kemi respekt maksimal për Shqipërinë. Kam parë që potenciali i Shqipërisë mund të surprizojë çdo rival dhe e kam parë gjatë këtyre dy ndeshjeve. Duhet një përqendrim maksimal nga fillimi deri në fund. Nesër shpresoj të jetë një ndeshje e mirë dhe shpresojmë të fitojmë. Do të jetë një spektakël i vërtetë dhe një ndeshje e jashtëzakonshme për t’u parë”.

Spanja është kualifikuar tashmë si e para e grupit dhe në ndeshjen ndaj Shqipërisë pritet të ketë disa ndryshime në formacion. Trajneri pranoi se do të lërë pushim disa nga titullarët dhe do t’u japë shansin të tregojnë veten lojtarëve të stolit.

Tv Klan