Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Ministri i Rendit Luan Rama, ka sqaruar në një seancë pyetjesh në Kuvend, në lidhje me ndërhyrjen e forcave policore, gjatë tubimeve të të përndjekurve politikë. Rama është shprehur se protesta ka qenë e paligjshme, e megjithatë policia ka ndërhyrë për të shpërndarë forcërisht protestuesit, vetëm në momentet kur këta të fundit i janë afruar parlamentit dhe godinave shtetërore në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Luan Rama:- “Oficeri i policisë, përgjegjës për të ndihmuar dhe vëzhguar zhvillimin e tubimit, urdhëroi shpërndarjen e tubimit me forcë, duke respektuar kërkesën e nenit 23, pika 3 të ligjit sipërpërmendur dhe duke mos lejuar përparimin e turmës, për t’u grumbulluar përpara parlamentit. Theksojmë, se nga ana e policisë dhe për këtë, unë zyrtarisht nuk kam asnjë ankesë, asnjë dokument, apo asnjë provë, nuk është përdorur dhunë mbi protestuesit”.

Servet Pëllumbi:- “Zoti Rroqi edhe njëherë po të paralajmërojë, në qoftë se do të prishësh seancën do të nxjerrë jashtë”.

Luan Rama:- “Ndërkaq, unë nuk e keqkuptojë dhe nervozizmin e zotit Rroqi, por ju lutem, theksojmë pra, se nga ana e policisë nuk ka pasur dhe për këtë as ju zoti Rroqi nuk keni bërë asnjë denoncim në prokurori, për të dëshmuar përdorim të dhunës të punonjësve të policisë. Ndërkaq e thashë, është urdhëruar shpërndarja e turmës me forcë dhe e drejta e aplikimit të forcës kur shkelet ligji është atribut ligjor i policisë së shtetit, do apo s’do ndonjëri nga ju këtu. Është e vërtetë, që në grupin apo në turmën, apo pjesëmarrësit në këtë protestë, ka pasur dhe deputetë. Punonjësit e policisë kanë njohur deputetin Shpëtim Rroqi, ka qenë edhe deputeti Uran Metko, të cilin ata nuk e kanë njohur dhe ai nuk ka pasur asnjë dokument identiteti për t’ia bërë të qartë këtë gjë, punonjësve të policisë”.

Ministri Rama është ndërprerë disa herë nga deputetët Spahia e Rroqi, të cilët këmbëngulnin të merrnin fjalën duke deklaruar, se mbi protestuesit është përdorur dhunë. Ndërhyrjet e kryetarit Pëllumbi janë shoqëruar me disa fyerje të deputetit Spahia.

Servet Pëllumbi:- “Zoti Spahia çfarë ke ti? Trim i madh për të gjithë ti, ulu aty. Ulu, provokacionet e tua nuk pinë ujë këtu, po ulu. Zoti Rroqi, ministri ka të drejtë të flasë, menjëherë pas tij do ta japë fjalën unë. Ulu, t’i që ofendon kryetarin e Kuvendit … atëherë ndërpresë seancën dhe forcat e rregullit të brendshëm ta nxjerrin jashtë zotin Spahia”.

Seanca është ndërprerë dy herë radhazi, derisa deputeti i Lëvizjes së Legalitetit Spahia, i është bindur urdhrit të kryetarit të Kuvendit, për përjashtim nga seanca për thyerje të rregullit dhe etikës. Edhe pas kësaj, ofendimet në trajtë epitetesh, kanë vazhduar në sallën e Kuvendit mes deputetëve Rroqi e Braho.

Shpëtim Rroqi:- “Po e përsërisë edhe njëherë është në nderin tuaj, që t’i thoni atij maçokut, të japi dorëheqjen, pasi goditet një deputet”.

Servet Pëllumbi:- “Zoti Rroqi mos ofendoni në Kuvend”.

Shpëtim Rroqi:- “Po ai më provokoi në mënyrën më të paturpshme, para syve të mi”.

Spartak Braho:- “Përsa i përket insinuatave, që bën deputeti i Partisë së Ballit, ndaj ministrit të rendit, duke përdorur fjalë të pahijshme, unë do t’ju kërkoja që të ndërhyni, pasi neni 108 i rregullores, e ndalon në mënyrë kategorike. Luan Rama nuk i takon atij krahasimi, si maçok, sepse maçoku ka dhe mjekër dhe mustaqe, do t’i ngjasojë dikujt tjetër, prandaj ju lutem zoti kryetar ndërhyni, që të mos lejohet përdorimi i fjalëve të pahijshme ndaj ministrave dhe deputetëve të tjerë”./tvkklan.al

Gazetare – Aranita Brahaj