Parlamenti i ka hapur rrugë amnistisë fiskale për të gjitha gjobat dhe kamatëvonesat e prapambetura në vite, për subjektet private dhe shtetërore, që i kanë këto detyrime kundrejt organeve tatimore, doganore dhe Sigurimeve Shoqërore. Falja e detyrimeve që parashikon projektligji i miratuar në seancë plenare edhe me votat e opozitës, do të veprojë deri 6 muaj pas hyrjes në fuqi të tij.

Deri në këtë kohë subjektet që përfshin amnistia fiskale duhet të kenë derdhur principalin e detyrimit që kanë kundrejt shtetit. Gjatë shqyrtimit të draftit në seancë, opozita kundërshtoi vetëm përmbajtjen e nenit 9, i cili parashikon që nga falja e gjobave të përfitojnë edhe subjekte që janë në një proces gjyqësor, por kur ata shpallen të pafajshëm. Sipas opozitës nga ky nen mund të përfitojnë edhe subjekte që janë nën ndjekje penale për aktivitet kriminal.

Por këto pretendime u kundërshtuan nga ministri Bode dhe në ligj u përcaktua, se do të përfitojnë subjekte që janë në proces gjyqësore civil.

Ridvan Bode: “Administrata do të thosha me të drejtë, ministria e Financave historikisht me të drejtë, nuk ka ushtruar këtë kompetencë, e cila për shkak të nivelit të përhapur të korrupsionit mund të rezultonte e rrezikshme dhe aspak e dobishme në raport me klimën e biznesit dhe me mbledhjen e të ardhurave në buxhetin e shtetit. Për këtë arsye ne vijmë sot, vijmë sot me këtë propozim në kushte dhe rrethana të përshtatshme për të bërë një falje të detyrimeve. Së pari nisur nga fakti që këto detyrime në masën 90% të tyre janë krijuar përpara vitit 2002 dhe si të tilla kanë rezultuar vështirësisht të mbledhshme.”

Ermelinda Meksi: “Janë paaftësia e administratës Fiskale, subjektiviteti dhe shpesh herë militantizmi, paaftësia e saj që ka bërë mosrealizimin si duhet të detyrës së saj funksionale. Masa të kësaj natyre, mos sjelljen e një konkurrence të pandershme, mos krijojnë precedentin në të ardhmen sepse sot është negativ që ai që paguan penalizohet nga ata që s’paguajnë që në një kohë të caktuar me ligje të kësaj natyre në një farë mënyre privilegjohen.”

Detyrimet e prapambetura nga gjobat e papaguara arrijnë në rreth 47 miliardë lekë, prej të cilave do të falen rreth 35 % e shumës dhe 65 %  e shumës është pjesa e detyrimit që duhet derdhur./tvklan.al

Gazetare: Anila Rama

Operator: Petrit Xhaferri